Ambasada e Japonisë solli në Kinotekën e Shkupit artin shekullor të kukullave, “Bunraku”
Më 30 qershor, në Kinotekë u zhvillua një performancë dhe punëtori e Bunrakut. Bunraku është teatër profesionist japonez i kukullave, i njohur si Trashëgimi Kulturore Jomateriale Botërore e UNESCO-s, transmeton Portalb.mk.
“Programi u hap me fjalët përshëndetëse të Ambasadores Kawahara dhe Dekanit Vladimir Pavlovski, ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë një performancë të jashtëzakonshme artistike dhe një punëtori ku arti delikat i kukullave dhe rrëfimi i pasur sollën në jetë histori shekullore”, thonë nga Ambasada e Japonisë.

Bunraku, thonë nga Ambasada, i zhvilluar kryesisht në shekujt XVII dhe XVIII, është një nga katër format e teatrit klasik japonez, së bashku me kabuki, noh dhe kyogen. Termi bunraku vjen nga Bunraku-za, emri i teatrit të vetëm komercial bunraku që mbijetoi deri në epokën moderne. I njohur edhe si ningyo joruri – ku “ningyo” do të thotë kukull dhe “joruri” është një stil rrëfimi dramatik i kënduar me shoqërimin e shamisenit me tre tela. Së bashku me kabuki, bunraku u zhvillua si pjesë e kulturës tregtare të periudhës Edo (1600–1868). Pavarësisht përdorimit të kukullave, ky teatër nuk është i destinuar për fëmijë.
Nga rreth 700 dramat e shkruara gjatë periudhës Edo, sot kanë mbetur në repertor rreth 160 vepra. Shfaqjet, dikur të gjata gjithë ditën, sot prezantohen në dy ose tre akte. Bunraku u shpall Pasuri Kulturore Jomateriale e Rëndësishme në vitin 1955 dhe u përfshi në listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në vitin 2008 (fillimisht e shpallur në 2003).
