Arben Demiri botoi librin e tretë për fizarmonikë në jubileun e 40-vjetorit si muzicient

Kompozitori dhe fizarmonicisti Arben Demiri ka nxjerrë në botim librin e tij të tretë me titull “Fizarmonika magjike në këngët e një udhëtimi muzikor”, një përmbledhje me 31 këngë popullore të transkriptuara për fizarmonikë, shkruan Portalb.mk.

Arben Demiri për Portalb.mk tha se ky botim vjen në një vit të veçantë për të, pasi shënon jubileun e 40-vjetorit të veprimtarisë së tij si muzicient dhe fizarmonicist.

“Botimi i këtij libri vjen në një vit të veçantë dhe plot domethënie për mua, në jubileun e 40-vjetorit të rrugëtimit tim si muzicient-fizarmonicist. Ky libër është një dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe përvojës së grumbulluar gjatë këtyre katër dekadave, të cilat ia kam kushtuar muzikës me dashuri dhe përulësi”, tha Demiri.

Sipas tij, libri përfaqëson më shumë se një vepër artistike, pasi ndërthur pasionin, dijen dhe përkushtimin ndaj artit muzikor, ndërsa në aspektin profesional paraqet rolin e fizarmonikës në këngët popullore shqipe dhe mënyrën e saktë të interpretimit të tyre.

“Pas çdo interpretimi të bukur fshihen vite pune, përkushtimi dhe sakrificë”, u shpreh ai.

Foto nga arkivi personal i Arben Demirit
Foto nga arkivi personal i Arben Demirit

Demiri theksoi se libri ka edhe domethënie personale, pasi lidhet me fizarmonikën, instrumentin e tij më të dashur, me të cilin luan prej katër dekadash. Ai shtoi se përmbledhja me 31 këngë popullore është shënuar dhe melografuar në mënyrë unike, me një metodologji të re.

“Përmbledhjen e këtyre 31 këngëve popullore, i kam shënuar, melografuar në mënyrë unike, me një metodologji të re dhe në bisedë me disa profesorë dhe kolegë nga Kosova dhe Shqipëria, mora informatë se ky lloj i të shënuarit të këngëve popullore nuk është zbatuar akoma në këtë lloj literature muzikore”, deklaroi Demiri.

Sipas tij, veçantia e librit qëndron në mënyrën se si janë paraqitur ornamentet dhe zbukurimet karakteristike të muzikës popullore shqiptare.

“Ornamentet, lulet, trilerat, në pjesën më të madhe i kam shënuar me tinguj zbukurues, të shkruara me nota të vogla, të lidhura me notën kryesore nëpërmjet harkut të vogël. Në këtë mënyrë ornamentika është shkruar në mënyrë shumë më të qartë dhe ekzakte”, theksoi ai.

Demiri bëri thirrje që muzika popullore shqiptare të dëgjohet, të kultivohet dhe të ruhet me përkushtim.

“Shpresoj që nëpërmjet këtij botimi të frymëzoj dhe inkurajoj muzicientët e rinj që të zbulojnë bukurinë e muzikës popullore shqipe dhe të vazhdojnë të fortifikojnë traditat tona kulturore. Fizarmonika është një instrument me tingull të ngrohtë, që me çdo notë na kujton se sa e bukur është muzika”, tha Demiri.

Ai paralajmëroi se në të ardhmen planifikon realizimin e një albumi muzikor instrumental me fizarmonikë, ku do të përfshihen këngë popullore të përpunuara dhe të orkestruara nga ai, në një stil pak më ndryshe, por duke ruajtur origjinalitetin dhe thelbin e këngës.

Foto nga arkivi personal i Arben Demirit
Foto nga arkivi personal i Arben Demirit