Festivali Ndërkombëtar i Teatrit do të sjell gjashtë shfaqje në Tetovë nga 1 deri më 6 tetor
Nga 1 deri më 6 tetor, në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit. Gjashtë trupa teatrore nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Presheva do të sjellin nga një shfaqje çdo mbrëmje, me fillim në orën 20:00, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Teatrit të Tetovës Hasim Memishi Sopi për Portalb.mk tha se përzgjedhja e shfaqjeve është mbështetur te pritja që ato kanë pasur në teatrot prej nga vijnë.
“Programi përbëhet nga shfaqje që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Presheva dhe Maqedonia e Veriut. Kriteri kryesor në përzgjedhjen e tyre ka qenë suksesi që kanë pasur në teatrot amë”, tha Memishi Sopi.
Sipas tij, festivali është edhe një mundësi që artistët e Tetovës të njihen nga afër me punën e kolegëve të tyre.
“Ky festival sjell kryesisht shfaqje nga jashtë Tetovës. Regjisorët dhe aktorët tanë kanë mundësi të shohin shfaqje të ndryshme, me aktorë dhe regjisorë të ndryshëm, prej të cilëve mund të mësojnë shumë për dramaturgjinë, regjinë dhe aktrimin në përgjithësi”, u shpreh ai.
Memishi Sopi theksoi se lidhjet me teatrot pjesëmarrëse vazhdojnë edhe pas përfundimit të festivalit.
“Përveç këtyre gjashtë netëve, kemi krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me shumicën e teatrove të rajonit tonë”, tha ai.
Për organizimin e festivalit, sfida kryesore mbeten kushtet në të cilat zhvillohet ai.
“Sfida më e madhe e këtij festivali janë kushtet infrastrukturore. Besojmë se së shpejti do të përfundojë objekti i ri i teatrit dhe atëherë do të kemi një festival të mirëfilltë, me ndikim edhe për publikun, edhe për trupat mysafire që do të vijnë”, deklaroi Memishi Sopi.
Festivalin e hap Teatri Shqiptar i Kumanovës me “Duke pritur Godonë”. Më 2 tetor, Teatri Popullor i Velesit sjell “Darkë për budallenjtë”, ndërsa më 3 tetor Teatri Kombëtar Eksperimental i Tiranës paraqitet me “Big Baby”. Më 4 tetor, në skenë ngjitet Teatri i Qytetit të Preshevës me “Vetmi në Perëndim”, pasuar më 5 tetor nga Teatri Kombëtar i Kosovës me “Litari”. Festivali mbyllet më 6 tetor me shfaqjen “Zotëriu i parë” të Teatrit Shqiptar të Shkupit.