Ali Pajaziti, Merita Abazi dhe Hasim Memishi flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku! 

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Profesori Ali Pajaziti njëkohësisht dhe kolumnist i rregullt i Portalbit veçon..

Suksese personale – Dy shpërblimet, “Ambasador i Paqes” shpallur nga Federata  Universale për Paqe dhe “13 Nëntori” akorduar nga qyteti i Shkupit dhe botimi  i dy përkthimeve, dy librave: Amësia Digjitale dhe Vatra e prehjes.

Personalitete të vitit veçon Jasir Asanin për kontributin në kombëtaren e futbollit.

Emira Selimi, studentja që mori nismën për hapjen e bibliotekës shqiptare në Manastir.

Institucione që përmend janë – “Fondacioni Albiz”, që ndau 175 bursa për studentë.

Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste “Dardania” që brenda më pak se një vitit, deri më 17 dhjetor, ka organizuar gjithsej 51 evente ose ecje malore përmes të cilave promovon një kulturë të re sportive ndër shqiptarë, afrim, lokacione të reja, eksperiencë, adrenalinë, të qenit tok me natyrën.

“Mirsat Komerc” që mirëmban autostradën “Shkup-Tetovë”, për kthimin e shpresës se diçka funksionon edhe ndër ne.

Botime …nisma për “Enciklopedinë Shqiptare”. “Logos-A” që ka botuar mbi 50 libra në vitin 2023.

Veçon qytetin e Tetovës që po ndryshon për mirë.

 

Merita Abazi
Merita Abazi

Profesoresha Merita Abazi numëron sukseset e saja  …

Ky vit është një vit i sukseseve të mia në fushën e krijimtarisë kreative letrare , në poezi dhe në prozë.  Më doli nga shtypi libri në prozë me kujtime “Nëpër stinët e kohës”, gjithashtu është në shtypshkronjë, e do të dalë deri në fundvit, libri me tregime të vërteta “Rrëfime me kordele”. Gjithashtu e përgatita përmbledhjen e dytë  me poezi ” Pranverës ia falim dashurinë”, që besoj që shpejti do të dalë në dritë.

Për këtë vit do t’i veçoja aktivitetet e dy shoqatave letrare, në krye me kryetarët Daim Iljazi dhe Vullnet Sadiku ,në të cilat jam anëtare, si  të “Oeneumit” Tetovë gjithashtu  edhe të  “ABC- poetike” Shkup. Përmend orët e mbajtura letrare,  shkuarjen nëpër qytete e vende të ndryshme me rastin e manifestimeve të ndryshme, festimin e Ditës së Alfabetit, Ditën e Pavarësisë, ose të flamurit,  vendosja e pllakave, homazhi në shtëpitë e varret e shkrimtarëve tetovarë; Murat Isaku, Nexhat Pustina, Abdylaziz Islami, homazh në varrin e Mehmet Pashë Derallës.

Sivjet për herë të parë në mënyrë institucionale u mbajt  “Nata e poezisë Shkupjane” ku morën pjesë shkrimtarë nga R. E Kosovës dhe e Shqipërisë.  Janë me rëndësi vizitat tona nëpër shkolla fillore, me qëllim t’i nxisim të rinjtë  të lexojnë dhe të shkruajnë, duke ua dhënë edhe sipas mundësisë libra për bibliotekat e tyre shkollore. OENEUMI nëpër fshatra të rrethit të Tetovës, etj.

Ky vit është viti i suksesshëm i vizitës nëpër qytete , sidomos në Cërnilishtë dhe Zhitoshë, ku për herë të parë ishim ne poetët në vizitë te shkollat e tyre, gjë që për ato, nxënës e banorë, ishte një përjetim i veçantë që mbeti në kujtesë, pastaj vizitat tona në  Kumanovë, Dibër e shkolla të Shkupit për lëvrimin e folklorit, përrallës popullore, ku unë unë kam treguar, përrallë, zonja Puntorie Muça ka sqaruar e me ndihmën e shoqatës kulturore “Dea 22” me Laura Papranikun  kemi dëgjuar përrallat e gjyshërve, ku nxënësit na i dorëzonin me shkrim, kështu edhe doli libri i parë me këto përralla, ndërsa është gati edhe libri i dytë.

Ky vit me të vërtetë qe një vit i përmbushur me ngjarje, promovime të veprave të ndryshme etj.

Për mua si poete është me rëndësi përurimi i 50- vjetorit të shkrimtares, poete, deputete e mjeke Flora Brovina, që ishte këtu në shtëpinë e Kongresit të Manastirit, e që mbeti në memorien tonë si një ngjarje e papërsëritshme.

Do ta kisha  përmend edhe një botim të veçantë , që ne këtu në Maqedoninë e Veriut  do ta kemi në dorë për herë të parë, kompletin prej 7 vëllimeve poetike të poeteshës së parë shqiptare në territorin e ish- Jugosllavisë, R.e Kosovës, poetesha preshevare Sadete Emërllahu Presheva.

Shumë vetë këtu sivjet janë dëshmuar me punën e tyre.

Prej institucioneve kulturore e kisha veçuar shtëpinë e Nënë Terezës dhe mbajtjen e shumë promovimeve, sidomos këtë të  fundit, të Ilir Ikonomit për veprën e Fan Stilian Nolit . Edhe Shtëpia e Kulturës” Koço Racin” ka bërë për kulturën shqiptare, dihet në krye me drejtorët e tyre zotërinjtë Naserin dhe Besnikun.

Do përmend edhe portalet  e shumë lexuara e të suksesshme “Portalbi”,”Zhurnali”, “Ars albanika”  që më kanë botuar përherë shkrimet e mia e me këtë më kanë nxitë të shkruaj edhe më shumë. U falënderohem. Arritjet në çdo sferë  teknologji, etj. prej viti në vit janë të mëdha.

Për në fund  do të bëj një urim, që e jap si një thirrje në poezitë e mia;

Mjaft, dhunës, terrorit, vrasjes! Uroj në Vitin e Ri 2024 të këtë më tepër harmoni, më pak interes, më shumë dashuri dhe shumë shëndet e kreativitete në punë e nëpër familje.  Gëzuar 2024-shi!

Hasim Memishi- Sopi
Hasim Memishi- Sopi

Për aktorin nga Teatri i Tetovës Hasim Memishi- Sopi ky vit ka qenë shumë i suksesshëm sa i përket profesionit.

Kam qenë i angazhuar gati në të gjitha shfaqjet që i ka organizuar Teatri i Tetovës, gjithashtu për këtë vit dua të veçoj organizimin e ‘’StandUp- Sopi’’ në Pallatin e Kulturës në Tetovë, që  u prit jashtëzakonisht bukur nga publiku, vitin po e përmbyll me një performancë të StandUp-it në Gjilan.

Si personalitet që ka bërë diçka të veçantë veçon Emira Selimin që hapi bibliotekën në Manastir.

Institucioni që veçon …Teatrin e Tetovës me “Armikun e popullit”

Në shkencë Mira Murati që ka bërë revolucion në botën e programimit.

Mesazhi për fundvit është:

Të punojmë shumë, të besojmë shumë në synimet tona, të lexojmë, mos të kërkojmë fajtorë të jashtëm në hezitimet tona.

Të bëjmë përpjekje që ta ndryshojmë shoqërinë për të mirë.

Uroj një vit me më shumë shëndet, më shumë progres dhe më shumë paqe!