Subvencionimi i inverterëve për të luftuar ndotjen e ajrit, premtim i harruar i Komunës së Tetovës

Subvencionimi i inverterëve dhe panelëve solar nga ana e Komunës së Tetovës mbetet një premtim i harruar që prej vitit 2021, kurse tashmë ka më shumë se një muaj që ka filluar sezoni i ngrohjes dhe ngrohja e qytetarëve me dru e ka rritur nivelin e ndotjes së ajrit, shkruan Portalb.mk.

“Në bashkëpunim me qeverinë do të subvencionojmë inverterët dhe panelët solar” shkruan në Programin zgjedhor 2021-2025, me qëllim që të ulet niveli i ndotjes nëpërmjet ngrohjes standarde me dru dhe lëndëve djegëse që e ndotin ambientin.

Premtim, programi 2021-2025
Programi 2021-2025: Premtimi për inverterë dhe panelë solarë

Të pyetur nga Portalb.mk se a kanë në plan ta realizojnë këtë premtim dhe deri kur duhet të presin qytetarët, nga Sektori për Veprimtari Komunale dhe Mbrojte të Ambientit Jetësor dhe Natyrës thanë se nuk janë në dijeni për diçka të tillë. Të njëjtën e tha dhe sekretari i komunës, duke shtuar se megjithatë, nëse kjo çështje nuk diskutohet në debatin për buxhet, nuk do të bëhet.

Cilësia e ajrit në Tetovë që nga 18 dhjetori ka kaluar nivelin e lejuar, që është edhe periudha kur mesatarja e temperaturave ditore kaloi ndër 2 gradë celsius. Problemi i njëjtë ishte edhe vitin e kaluar, kur Tetova u shpall qyteti i dytë më i ndotur në botë, kurse Raportet mujore të Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2021 ka pasur 132 ditë ajër të ndotur.

infografik
Infografik: Niveli i ndotjes së ajrit në Tetovë

E vetmja masë mbrojtëse që u diskutua të përfshihet në Buxhetin e Komunës për vitin 2022 ishte vendosja e pesë stacioneve matëse, për të cilën në fund të vitit 2022 kishte kritika nga opozita se përveç faktit se këto stacione nuk u ndërtuar, nuk ishin as në planin e buxhetit të vitit 2023. Në Buxhetin e Komunës për vitin 2024 as nuk u diskutua kjo çështje.

Problemi i ndotjes së ajrit, sidomos në sezonin e ngrohjes është problem në tërë Maqedoninë e Veriut. Shkupi, i cili tani në dhjetor ishte në listën e 10 qyteteve më të ndotura në botë, ka realizuar subvencionimin e inverterëve në përpjekje për ta përmirësuar gjendjen. Kërçova dhe Strumica rekomanduan të mos shkojnë në punë gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt ose goditje të mëparshme të miokardit.