Aleanca për Shqiptarët kërkoi nga MPB të zbulojë se kush e kërcënon Agjencinë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar (Video)

Partia në pushtet, Aleanca për Shqiptarët, ka kërkuar nga policia që të zbulohet se kush u kërcënohet punonjësve dhe drejtorit të Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar. Ky reagim i partisë vjen pasi këto ditë ka reaguar edhe drejtori i kësaj agjencie, Driton Nebiu, i cili është ankuar për presione, transmeton Portalb.mk

“Kriminel të konfirmuar me vendime gjyqësore kanë kërcënuar të punësuarit dhe drejtorin e Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Driton Nebiun. Duam të bëjmë me dije se pas drejtorit Nebiu qëndron e gjithë Aleanca për Shqiptarët, gjithë kryesia dhe të gjithë anëtarët. Mbështesim pa rezervë drejtorin tonë i cili kohëve të fundit, si askush tjetër më parë, pas 10 viteve po realizon me sukses shitjen e pronës së konfiskuar nga kriminel e individë të korruptuar.” deklaroi Aleanca për Shqiptarët.

Partia tha se do të vazhdojë të shesë pronat e konfiskuara dhe paratë nga shitja do t’u kthehen qytetarëve deri në qindarkën e fundit.

“Ftojmë publikisht institucionet kompetente, Ministrinë e Punëve të Brendshme, prokurorinë dhe institucionet tjera që të hetojnë kërcënimet ndaj të punësuarve dhe menaxhmentit të Drejtorisë për menaxhim me pronën e konfiskuar, të identifikojnë kërcënuesit dhe ti nxjerrin ata para drejtësisë”, njoftoi partija.

Përndryshe, është duke vazhduar procedura e Agjencisë për Menaxhimin me Pronën e Konfiskuar për shitjen e banesave të Sasho Mijalkovit, të cilat ndodhen në lagjen Vodno të Shkupit.

Paraprakisht në shtator të këtij viti, Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar shiti gjithsej tri patundshmëri të konfiskuara nga ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov, në përputhje me aktgjykimin përfundimtar për rastin “Perandoria”.

“Bëhet fjalë për tri pasuri të paluajtshme që sipas aktvendimit gjyqësor të formës së prerë janë konfiskuar nga Sasho Mijalkov. Mjetet e realizuara nga shitja do të rrisin buxhetin e shtetit në vlerë të përgjithshme prej 15.000.500 denarë ose 244.000 euro”, njoftoi atëkohë Agjencia.

Rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale.