Ukraina dhe BE kanë të njëjtin qëndrim: Rusia dëshiron të krijojë problem në Ballkanin Perëndimor

Ditët e fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Bashkimi Evropian  paralajmëruan për aktivitetet e Rusisë për të shkaktuar probleme në Ballkanin Perëndimor, gjë që do të largonte vëmendjen e publikut ndërkombëtar nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Zelensky së pari paralajmëroi publikisht më 15 nëntor të këtij viti se Rusia mund të përgatisë një luftë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të largojë vëmendjen nga lufta aktuale në Ukrainë, raporton Newsweek.

Përpara gazetarëve të huaj, presidenti ukrainas deklaroi se Rusia po punon për të krijuar probleme në Lindjen e Mesme, por edhe në Gadishullin Ballkanik.

“Pas “shpërthimit” në Lindjen e Mesme është Rusia, jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin,” tha Zelensky, edhe pse ai për tani nuk ofroi prova të forta që tregojnë për rolin e pretenduar të Moskës zyrtare në konfliktin aktual mes forcave izraelite dhe grupit militant Hamas në Gaza.

Zelenski i bëri thirrje botës që t’i kushtojë vëmendje zhvillimeve në Ballkan.

“Më besoni, ne i marrim informatat “Rusia ka një plan të gjatë – Lindjen e Mesme, dhe shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, theksoi ai.

Presidenti ukrainas paralajmëron se nëse bota nuk bën asgjë tani, atëherë do të ketë një “shpërthim” të ri, ku Rusia do të sigurojë që një vend ballkanik të hyjë në konflikt me një tjetër.

Zelensky sugjeroi se Rusia po përpiqet t’i bëjë presion Perëndimit për të shpërndarë ndihmën financiare, e cila aktualisht është e fokusuar kryesisht në mbështetjen e Ukrainës në luftën e vazhdueshme. Me shumë sfida humanitare në botë, ai beson se komuniteti ndërkombëtar do të duhet të shpërndajë ndihmën në më shumë pika të ndryshme.

Paralajmërimet dramatike që vijnë nga presidenti ukrainas konfirmohen edhe nga Bashkimi Evropian, me zyrtarë të BE-së që thonë se e ndajnë shqetësimin me Zelenskyn për ndikimin negativ të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.

“Kemi informata dhe i përndjekim këto aktivitete të Rusisë prej disa kohësh, kështu që e kemi pasqyrën e plotë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia. Ne punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor për t’i trajnuar ata që të merren me të”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një konferencë për shtyp.

Stano tha se prej disa kohësh tashmë Brukseli ka folur për Rusinë që përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj malinj në territorin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne e dimë se Rusia po bën gjithçka që mundet për të mbjellë pakënaqësi, paqëndrueshmëri politike, ndërhyrje të huaja, manipulim të informatave dhe për këtë arsye ne po rrisim bashkëpunimin dhe ndihmën tonë për partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor, kur bëhet fjalë për forcimin e kapaciteteve dhe aftësia për t’u përballur me këtë formë të kërcënimeve hibride dhe ndikimit të jashtëm”, ​​tha Stano.

Ai konfirmoi se ndikimi rus ishte një nga temat e bisedës në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Stano nënvizoi se nuk i komentojnë detajet e bisedimeve që përfaqësuesit e BE-së i zhvillojnë me partnerët nga rajoni, por përsëriti se ata ” e ndajnë vlerësimin” e presidentit ukrainas.