Akademia Amerikano-Shqiptare: Vonesat për shqetësimet e studentëve shqiptarë krijojnë perceptimin sistemit diskriminues
Akademia Amerikano–Shqiptare ka shprehur shqetësim institucional dhe akademik lidhur me situatën e krijuar për studentët shqiptarë në procesin e provimit të jurisprudencës në Shkup, raporton Portalb.mk.
Besa Kadriu nga kjo akademi thotë se si studiuese e shteteve multietnike dhe pedagoge me mbi 20 vite përvojë në universitet, e konsideron këtë çështje si një tregues serioz të sfidave që vazhdojnë të ekzistojnë në funksionimin e barazisë institucionale dhe administratës publike në Maqedoninë e Veriut.
“Në një shtet që synon standarde evropiane dhe demokraci funksionale, qasja e barabartë në provimet profesionale nuk mund të jetë objekt paqartësie, vonese apo interpretimi selektiv institucional”, tha Kadriu.
Nga aty thonë se e drejta për arsimim dhe për qasje të barabartë në profesionet e rregulluara, përfshirë profesionin e juristit, nuk është privilegj administrativ, por e drejtë kushtetuese dhe standard i garantuar ndërkombëtarisht.
Megjithatë, shtojnë nga atje, praktikat institucionale shpesh krijojnë hapësira të pabarazisë de facto, të cilat bien ndesh me parimin e mosdiskriminimit të sanksionuar në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Neni 14) dhe në instrumentet e UNESCO-s për barazinë në arsim.
“Në këtë kuptim, heshtja institucionale, mungesa e transparencës apo vonesat administrative në trajtimin e shqetësimeve të studentëve shqiptarë krijojnë perceptimin e një sistemi jo të barabartë dhe jo plotësisht funksional në garantimin e të drejtave profesionale. Këto nuk janë çështje teknike, por çështje të drejtpërdrejta të besimit në shtetin e së drejtës”, thonë nga kjo akademi.
Akademia Amerikano–Shqiptare u bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të marrin masa urgjente për: Garantimin e qasjes së barabartë dhe transparente në provimin e jurisprudencës; Publikimin e qartë të kritereve dhe procedurave pa interpretime të dyfishta; Sigurimin e mekanizmave funksionalë të ankesës dhe mbrojtjes institucionale të kandidatëve; Shmangien e çdo praktike që mund të krijojë diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Kujtojmë se sot, me thirrje dhe pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë protestuan në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkuan që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet. Studentët u përballën me ndalesa nga policia ndërkaq në protestë u arrestuan tre persona.