Agjenda e Reformave me “këmbë breshke”: Sektori civil i përfshirë në monitorim, por institucionet të mbyllura ndaj saj

Maqedonia e Veriut ka bërë shumë pak krahasuar me atë kërkohet në Agjendën Reformuese. Këtë e tregoi edhe tabela e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor e publikuar nga Komisioni Evropian. Shoqëria civile edhe pse e përfshirë në monitorim, përballet me konsultim të kufizuar substancial dhe mungesë qasjeje në zbatimin ose jo të reformave për shkak të transparencës së ulët. Por pavarësisht kësaj status-quoeje, Ministria e Çështjeve Evropiane vëren “progres të madh” në disa fusha të agjendës. Delegacioni i Bashkimi Evropian ndërkohë, lidhur me atë se sa larg ka shkuar vendi në këtë drejtim dhe cilat fusha janë më problematike për tu zbatuar, thotë se janë në fazën përfundimtare të vlerësimit. Sidoqoftë, sipas rezultateve, Maqedonia ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, ose 40% të detyrimeve të parashikuara, raporton Portalb.mk.

Nuk është plotësuar as gjysma minimale e nevojshme

Fikrija Tair-Selmani nga Instituti për Politika Evropiane (EPI), monitorimi pilot i së cilit mbulon fushat: Vlerat Themelore, Energjisë/Tranzicionit Digjital, Zhvillimit të Sektorit Privat dhe Mjedisit të Biznesit, dhe Kapitalit Njerëzor, thotë se gjetjet në raportin e tyre të parë të monitorimit, tregojnë se përfshirja në zbatimin e reformave është kryesisht formale, me përfshirje dhe konsultim të kufizuar substancial të palëve të interesuara dhe informacion të kufizuar për publikun e gjerë mbi progresin e zbatimit të reformës.

Fikrija Tair Selmani. Foto e marrë në Facebook
Fikrija Tair Selmani. Foto e marrë në Facebook

“Disa reforma që lidhen me miratimin e ligjeve (për shembull, reforma që lidhet me miratimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor në përputhje me “Misionin e Vlerësimit” i cili nuk është miratuar), janë njoftuar në ENER dhe janë formuar grupe pune që përfshijnë palë të ndryshme të interesuara në procesin konsultativ, por ka edhe procese në të cilat nuk ka informacion në lidhje me konsultimet publike, megjithëse reforma nga ana e institucioneve shtetërore është vlerësuar si e arritur, për shembull, ndryshimet në Ligjin për Shoqëritë Tregtare deri në dhjetor 2024. Ka mungesë informacioni dhe njohurish mbi komentet e marra dhe të pranuara nga proceset konsultative gjatë zbatimit të reformave. Për më tepër, nuk është vërejtur pjesëmarrja gjithëpërfshirëse e palëve të interesuara, gjë që tregon se gjatë zbatimit të reformave, procesi konsultativ në disa reforma është shpesh i kufizuar në përmbushjen e detyrimeve minimale formale në krahasim me një proces dialogu substancial. Kjo qasje nuk është karakteristike vetëm për reformat që lidhen me këtë instrument, por vërehet shpesh edhe në procese të tjera reformash (gjetjet e monitorimit tonë të proceseve tjetra të reformave) jashtë Agjendës së Reformës, të cilat tregojnë nevojën për një gjithëpërfshirje më të madhe për të siguruar përfshirje substancial”, vlerëson Tair Selmani.

Lidhur me transparencën institucionale, Tair Selmani thotë se është e kufizuar. Gjetjet e raportit të EPI-t, shton ajo, tregojnë raste në të cilat dokumentet, planet ose regjistrat kryesorë që duhet të rezultojnë nga zbatimi i Agjendës së Reformës nuk janë/nuk ishin të disponueshme publikisht në fund të periudhës së konsideruar nga monitorimi i tyre.

“Këto përfshijnë Planin e ristrukturimit të operatorit hekurudhor shtetëror dhe menaxherin e infrastrukturës hekurudhore, Planin e rinovimit të ndërtesave të Qeverisë qendrore, si dhe Regjistrin e të gjitha subjekteve publike, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore dhe kompanitë tregtare shtetërore. Në mënyrë shtesë, vendi nuk e ka publikuar raportin e paraqitur nga KE mbi hapat e reformave të zbatuara midis dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025, ndryshe nga Mali i Zi, i vetmi vend në rajon që e ka publikuar atë dhe është i disponueshëm publikisht për shqyrtim. Nga ana tjetër, në rajon, vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një Plan komunikimi dhe dukshmërie për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Ky plan synon t’i sjellë përfitimet e Instrumentit të Reformës dhe Rritjes më afër publikut dhe palëve të interesuara, duke inkurajuar transparencën, përfshirjen dhe besimin, dhe duhet të pasqyrojë hapjen dhe llogaridhënien e institucioneve në vend”, nënvizon Tair Selamani.

Për zbatimin efikas të Agjendës së Reformës 2024-2027 dhe përdorimin e fondeve të disponueshme, shton ajo, përveç kapërcimit të sfidave institucionale dhe forcimit të kapaciteteve, është e nevojshme të përfshihen dhe informohen në mënyrë aktive palët e interesuara, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, me mbështetjen e mekanizmave të qartë dhe funksionalë për monitorimin e procesit që lehtësojnë rrugën drejt procesit të integrimit në BE.

Dançe Danilovska-Bajdevska nga Fondacioni Metamorfozis, i cili është pjesë e mekanizmit konsultativ të Agjendës, thotë se gjatë monitorimit dhe analizimit të të dhënave, kanë arritur në përfundimin se ka përpjekje për të përfshirë palët e interesuara, por ato janë ende në fazën fillestare, gjegjësisht nevojitet një përfshirje më e thellë dhe e vazhdueshme e palëve të ndryshme të interesuara, veçanërisht shoqërisë civile. Kështu që, në këtë pikë, përfshirja është formale, por nuk është mjaftueshëm e thelluar ose e strukturuar.

Dançe Danillovska, foto: Vanço Xhambaski
Dançe Danillovska, foto: Vanço Xhambaski

“Qeveria ka përgatitur një Plan komunikimi dhe dukshmërie për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën e Reformave 2024 – 2027 të Maqedonisë së Veriut, me faza kryesore dhe grupe të ndryshme të synuara dhe mënyra të ndryshme të informimit dhe përfshirjes së tyre. Por në ueb-faqen e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, për shembull, të qasshme janë vetëm dokumentet, por nuk mund të gjeni lidhje me aktivitete të ndryshme të institucioneve të tjera kompetente, as momentalisht nuk ka fushatë të dukshme për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të dhënë qartësi mbi elementët kryesorë të programit.
Komunikimi me qytetarët në përgjithësi, me të rinjtë, me shoqërinë civile, me kompanitë e teknologjisë, pra me të gjithë palët e interesuara, është çelësi i suksesit të reformave. Transparenca dhe përgjegjshmëria në proces dhe kuptimi i tij janë një parakusht që qytetarët të ndiejnë se reformat po ndodhin, por edhe se ato po zbatohen sipas nevojave të tyre, si dhe se procesi i integrimit evropian nuk është një koncept i largët dhe abstrakt, por një mundësi konkrete dhe e prekshme për një cilësi më të mirë jetese, shërbime më efikase, transformim digjital dhe një mjedis të pastër”, vlerëson Danilovska-Bajdevska.

Ajo shton se sektori civil synon të ruaj vrullin e reformave gjatë periudhës 2024 – 2027.

“Metamorfozis monitoroi progresin në përmbushjen e angazhimeve të Agjendës së Reformave me fokus në transformimin digjital dhe i publikoi ato në botimin “Agjenda e Reformave 2024 – 2027 dhe Digjitalizimi në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Përveç kësaj, shoqëria civile, me iniciativën e saj, e iniciuar nga Instituti Prespa, është rrjetëzuar për të monitoruar proceset e reformave në Aleancën qytetare për reformë dhe rritje (CARGrow), anëtare e së cilës është Metamorfozis. Përmes angazhimit të përbashkët dhe ekspertizës sektoriale, ne kemi zhvilluar një metodologji dhe matricë monitorimi që monitoron thellësisht Agjendën e Reformave dhe synon të ofrojë vlerësime të bazuara në të dhëna dhe të ruajë vrullin e reformave gjatë periudhës 2024 – 2027″, thotë Danilovska-Bajdevska.

Ministria e Çështjeve Evropiane, ndërkohë nuk jep pasqyrë të qartë se çfarë nuk është bërë dhe cilat janë vështirësitë dhe sa kohe do ti marrë vendit t’i kapërcejë. Pavarësisht se Komisioni Evropian e vlerësoi me përparim të moderuar, kjo Ministri thotë se në periudhën e kaluar janë ndërmarrë shumë hapa të rëndësishme që janë kontribut konkret për progres të stabil dhe të qëndrueshëm.

Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Në fushën e financave publike, është miratuar Ligji për kontrollin e brendshëm financiar publik dhe filloi zbatimi i më shumë akteve nënligjore të parapara në Ligjin për buxhetet. Në fushën e mjedisit të biznesit, janë miratuar ndryshime në Ligjin për shoqëritë tregtare, me çka vendosen standarde të reja për pavarësinë dhe profesionalizmin e bordeve drejtuese në kompanitë nën pronë shtetërore. Në energjetikë, janë operacionalizuar strukturat e parashikuara në Udhërrëfyesin për Tranzicion të drejtë dhe tani më u miratua plani vjetor për zbatimin për vitin 2025. Njëkohësisht, në fushën e digjitalizimit, janë miratuar zgjidhje të reja ligjore për sigurinë kibernetike, komunikimet elektronike dhe dokumentet elektronike, të harmonizuara plotësisht me rregulloret evropiane dhe standardet për identitet digjital”, thonë nga MÇE.

Sipas kësaj ministrie, progresi më i madh vërehet në fushat e tranzicionit digjital dhe të energjetikës, ku pjesa më e madhe e aktiviteteve po realizohen brenda dinamikës së planifikuar. Megjithatë, shtojnë se, pjesë e masave në sundimin e së drejtës dhe menaxhimin e financave publike po zbatohen me disa vonesa, kryesisht për arsye të kompleksitetit të procedurave legjislative dhe nevojës për burime shtesë institucionale dhe njerëzore.

“Për këto aktivitete janë periudhë e mekanizmave për shtyrje të përkohshme (grejs periodë), ndërkaq në koordinim me institucionet përkatëse përgatiten plane për zbatimin e tyre në kohë në përputhje me afatet e përcaktuara dhe standardet evropiane”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

Ministria për Çështje Evropiane vlerëson se përfshirja e sektorit civil mundëson ndjekje të përbashkët, analizë dhe promovimin e proceseve reformuese, me çka  përforcohet transparenca, sigurohet gjithëpërfshirje më e gjerë dhe inkurajohet roli aktiv i organizatave të shoqërisë civile në krijimin dhe zbatimin e reformave. Mirëpo siç u pa edhe më lart, nuk mendon kështu sektori civil, i cili përballet me vështirësi në monitorimin e reformave.

Ministria e Çështjeve Evropiane vlerëson se përfshirja e sektorit të shoqërisë civile mundëson ndjekje të përbashkët, analizë dhe promovimin e proceseve reformuese, me çka  përforcohet transparenca, sigurohet gjithëpërfshirje më e gjerë dhe inkurajohet roli aktiv i organizatave të shoqërisë civile në krijimin dhe zbatimin e reformave. Megjithatë, pavarësisht faktit se qëllimet si të Ministrisë së Çështjeve Evropiane ashtu edhe të sektorit të shoqërisë civile janë të njëjta, siç u pa edhe më lart, sektori i shoqërisë civile përballet me vështirësi në monitorimin e reformave ose, më saktë, me barriera nga institucionet.

Përpara se KE të azhurnojë të dhënat për progresin, Delegacioni i Bashkimi Evropian, lidhur me atë se sa larg ka shkuar vendi në këtë drejtim dhe cilat fusha janë më problematike për tu zbatuar, për Portalb.mk u përgjigj se janë në fazën përfundimtare të vlerësimit.

“Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit dhe do t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja sa më shpejt të jetë e mundur”, thanë nga atje.

Si një nga iniciativat e saj për të mbështetur rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian shpalli Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 dhe miratoi Agjendën e Reformave Maqedonase 2024-2027, përmes së cilës do të përshpejtohen reformat kryesore në vend. Agjenda e Reformave e Planit të Rritjes nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE, por një mjet për të mbështetur përgatitjet e vendit për anëtarësim në BE.

Thelbi i Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor është që vendet e rajonit të arrijnë standardet evropiane më shpejt dhe më me efikasitet, pra edhe para se të bëhen anëtare të BE-së. Këto standarde nënkuptojnë shumë më tepër sesa harmonizimi i ligjeve të vendit tonë me ligjet e BE-së. Ato nënkuptojnë një cilësi më të mirë jetese, shërbime më efikase, transformim digjital dhe një mjedis të pastër.

Komisioni Evropian publikoi tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor , ku Maqedonia tregon përparim modest, ndërsa Shqipëria dhe Serbia janë në ngecje të plotë. Sipas tabelës zyrtare të Mekanizmit të reformës dhe rritjes, Maqedonia ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, ose 40% të detyrimeve të parashikuara. Për këtë, ajo mori rreth 8.5 milionë euro. Megjithatë, kur bëhet fjalë për objektivat që duhen arritur deri në fund të vitit 2025 – pamja është dukshëm më e keqe: asnjë nga 19 reformat e planifikuara nuk është zbatuar.

Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.