Mbi 8 muaj e mbyllur, fëmijët me nevoja të veçanta të Komunës së Likovës mbeten pa trajtim

Kanë kaluar më shumë se tetë muaj nga mbyllja e “Qendrës për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të posaçme” në fshatin Orizare të Komunës së Likovës. Këta fëmijë kanë mbetur pa trajtim, të privuar nga kujdesi i nevojshëm për zhvillimin e tyre, shkruan Portalb.mk. Ky projekt është një nga premtimet parazgjedhore 2021/2025 nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, dhe për realizimin e saj u investuan gjithsej 100 mijë euro.

“Qendra për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta”, ofronte qëndrim ditor dhe trajtime individuale, ku disa fëmijë merrnin trajtim tre orë në javë, e disa të tjerë dy herë në javë.

Përderisa ka më shumë se 8 muaj që nga mbyllja e Komuna e Likovës dhe organizata joqeveritare “Imago Plus” akuzojnë njëra tjetrën për përgjegjësinë.

Në “Qendrën për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të posaçme kanë qenë të regjistruar 16 fëmijë, por duke kaluar koha, më pas kanë ngelur gjashtë fëmijë. Arsyeja e pakësimit të fëmijëve ka qenë se prindërit kanë preferuar përkujdesje nga çerdhet private. Gjithashtu, në këtë qendër kanë qenë të punësuar nëntë persona: një edukator special, rehabilitatorë, një koordinatore, psikolog, logoped, defektolog, dy përkujdesës, kuzhinier dhe një pastruese. 

Fëmijë gjatë qëndrimit në "Qendrën për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të posaçme", në fshatin Orizare. Foto e marrë nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, rrjeti i tij facebook.
Fëmijë gjatë qëndrimit në “Qendrën për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të posaçme”, në fshatin Orizare. Foto e marrë nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, rrjeti i tij facebook.

E pyetëm Komunën e Likovës se pse u mbyll kjo qendër. Nga ky institucion u përgjigj Urim Selmani i cili ka qenë koordinator. Ai tha se OJQ “Imago Plus” nuk ka pasur më interes për të vazhduar bashkëpunimin me ta.

“Ajo qendër do të fillojë përsëri me punë. Komuna ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një shoqatë joqeveritare nga Gostivari, dhe ka vendim të Këshillit që shumë shpejt do të fillojë punën. Shoqata e mëparshme “Imago Plus”, që kishte një projekt nga Banka Botërore, e kompletoi gjithë objektin me mjetet e nevojshme për trajtimin e fëmijëve me nevoja të posaçme dhe ka punuar deri në vitin e kaluar. Ajo u mbyll sepse shoqata nuk konkurroi në thirrjen e fundit, dhe nuk pati interes për të vazhduar. Arsyeja e tyre ka qenë se nuk kishin të holla dhe nuk po fitonin asgjë, vetëm po i paguanin punëtorët dhe po na shërbenin ne si komunë,” deklaroi Selmani.

Ai theksoi se jozyrtarisht, Qendra pritet të rihapet në muajin tetor 2025.

Zemrijete Bela-Veseli drejtoresha e OJQ “Imago Plus”, qendra për fëmijë të kufizuar. Foto nga arkivi i saj personal.
Zemrijete Bela-Veseli drejtoresha e OJQ “Imago Plus”, qendra për fëmijë të kufizuar. Foto nga arkivi i saj personal.

Nga ana tjetër, biseduam me drejtoreshën e OJQ-së “Imago Plus”, Zemrijete Bela-Veseli, e cila thotë se Komuna e Likovës është bartësi kryesor për aplikim.

“Ne jemi OJQ dhe bashkëpunëtorë të komunës, ndërsa bartësi kryesor për aplikim është vetë komuna, jo ne. Komuna vendos se me cilën OJQ do të aplikojë, ose nëse nuk aplikon fare, atëherë përgjegjësia është e tyre. Deri në muajin dhjetor 2024, kemi pasur bashkëpunim me komunën dhe nuk është konkurruar në afatin e caktuar kur u shpall konkursi për vazhdimin e dhënies së shërbimit, dhe këtu qëndron i gjithë problemi,” tha Bela-Veseli.

Ajo shtoi se përpos Komunës së Likovës, probleme ka pasur edhe me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila vononte pagesat deri në tre muaj. Sipas saj, kështu ata nuk kishin asnjë përfitim, pasi nuk mund t’i mbulonin rrogat, ndërkohë që punëtorët kërkonin paga më të larta.

Qendra për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta në fshatin Orizare  u hap më 26 korrik 2021, nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, në bashkëpunim me Jovanka Trençevska, ish-ministren MPSDR-së, dhe Resmi Ejupi ish-sekretarin e RMV-së, si dhe përfaqësues të OJQ-së “Imago Plus”.