Meidani: Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, në fjalimin e tij të fundit në këtë detyrë, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup, vlerësoi lidhjet mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai tha se kur erdhi në Shkup mendonte se po e sillte Shqipërinë, por në fakt e gjeti atë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, ambasadori rikujtoi shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 dhe rolin e figurave historike e kulturore shqiptare, duke theksuar se shqiptaria është më e madhe se kufijtë gjeografikë. Ai përmendi, ndër të tjera, Skënderbeun, Nënë Terezën, Sami Frashërin, Konicën, Kadarenë, si dhe personalitete shqiptare nga fusha të ndryshme.

Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai tha se gjeografia i ka bërë dy vendet fqinj, ndërsa zgjedhja e tyre i ka bërë miq. Sipas tij, Shqipëria e dëshiron Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën evropiane. Ai theksoi se suksesi i njërit vend është edhe sukses i tjetrit.

“Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit.Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur. Miqësia jonë është buka që ndajmë kur hyjmë brenda”, tha ambasadori.

Ambasadori përmendi edhe disa nga rezultatet e mandatit të tij në Shkup, përfshirë zbatimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare mes dy vendeve, shpërndarjen e Abetares së unifikuar, mbështetjen për Shtëpinë-Muze të Alfabetit në Manastir, bursat dhe kuotat universitare për studentët, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe rinore.

“Mandati im në Shkup po mbyllet. Çdo mandat mbaron me një dorëzim detyre. Por, disa gjëra, megjithatë, nuk dorëzohen dot. Nga kjo përvojë, marr me vete shumë. Marr me vete kufirin. Aty ku dikur ndaleshim dy herë, punuam që të ndalemi një herë, me „One Stop Shop” në të gjitha pikat kufitare mes vendeve tona. Dhe besoj se do të vijë dita kur në atë kufi nuk do të ndalemi më fare. Marr me vete Abetaren e unifikuar, që shkoi cep më cep, shkollë më shkollë, dorë më dorë. E kam parë gëzimin e fëmijëve kur e hapin për herë të parë. Ai gëzim më ka shpërblyer për çdo rrugë të bërë. Marr me vete të rinjtë, që i patëm gjithmonë të parët në radhë: studentët e drejtësisë me provimin e jurisprudencës, dhe urat e bashkëpunimit që ngritëm mes tyre dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Këshillit Kombëtar të Rinisë e unioneve studentore të Shqipërisë. Të rinjtë tanë sot njihen, punojnë dhe ëndërrojnë bashkë. Marr me vete kuotat në universitetet e Shqipërisë, bursat për studentët dhe marrëveshjet mes universiteteve, instituteve, Bibliotekës dhe Arkivit. Marr me vete Manastirin. Shtëpia-Muze e Alfabetit, aty ku shqipja mori shkronjat e saj, sot është e rinovuar plotësisht. Mbështetëm edhe Bibliotekën “Linkest”, që libri shqip të ketë gjithmonë shtëpinë e vet. Marr me vete zërin tuaj në Tiranë. Tirana zyrtare ju pa më nga afër dhe ju dëgjoi më shpesh”, tha Meidani.

Ai veçanërisht falënderoi banorët, prindërit, mësuesit dhe sipërmarrësit që kontribuuan në shkollën në Nerovë, duke theksuar se për të ecur përpara nuk nevojiten mjete të mëdha, por një klasë, një abetare dhe fjala e mbajtur.

“Në Samitin e Diasporës, patët vendin dhe fjalën tuaj në çdo panel. Dhe marr me vete Nerovën, me shkollën e saj. Gjej rastin të falënderoj nga zemra banorët, prindërit, mësuesit dhe çdo dorë sipërmarrësi që ndihmoi. Shumë prej jush sot në këtë sallë. Pati edhe nga ata që dyshuan te ne. I falënderoj edhe ata, sepse dyshimi i tyre na bëri më kokëfortë. U pa se për të ecur përpara nuk duhen raketa. Mjafton një klasë, një abetare dhe fjala e mbajtur”, tha ambasadori Meidani.

Në fund, ambasadori iu drejtua shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke i porositur që gjuhën shqipe t’ua përcjellin brezave të ardhshëm, ta ruajnë flamurin dhe të qëndrojnë të bashkuar, pavarësisht se ku jetojnë.

“Kur erdha në Shkup, mendoja se po ju sillja Shqipërinë. Në fakt Shqipërinë e gjeta këtu”, tha ambasadori, duke shtuar se Shkupin do ta mbajë në zemër dhe se nuk po u thotë lamtumirë, pasi do të jetë vetëm 50 minuta larg.