Vijojnë përplaset BDI – Kasami për dorëheqjen e drejtorit të shkollës fillore “Istikball” (VIDEO)

Këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim e akuzuan sot kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami se po bën pazare politike në sferën e arsimit, duke vënë në pah dorëheqjen e drejtorit të shkollës fillore “Istikball” Zija Ademit të cilën ai e deponoi javën e kaluar. Nga ana tjetër, në një konferencë për media, Kasami mohoi se Komuna e Tetovës i ka bërë presion Ademit, shkruan Portalb.mk.

Para objektit komunal të Tetovës, përmes një konferencë për mediat, këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) reaguan për dorëheqjen e Ademit, duke thënë se nga komuna i është bërë presion. Sali Elmazi tha se politika duhet t’i mbajë duart larg institucioneve arsimore, por udhëheqësit e Komunës së Tetovës përkundrazi, shkollat dhe arsimin e shohin si sferë për pazare politike dhe reahatim të militantëve të tyre.

“Dëshmi më e mirë për këtë është ngjarja e fundit me ish drejtorin e shkollës fillore “Istikball”, Zija Ademi, i cili dje e ka pohuar për mediat nacionale dhe rajonale se dorëheqjen e ka deponuar nën presion të madh politik nga përfaqësues të Komunës së Tetovës, duke e vërtetuar kështu edhe letrën e hapur të ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri. Ju bëjmë thirrje organeve hetuese dhe ndjekëse që të hulumtojnë këtë rast”, tha Elmazi.

Një orë më vonë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për mediat tha se dorëheqja e Zija Ademit, sipas tij, ka qenë dorëheqje e zakonshme e një drejtori dhe se nuk ka pasur aspak presion.

“Bëhet fjalë për një rast politik, ministri i Arsimit në dështimin e realizimit të obligimeve të tij ndaj qytetarëve për furnizim me libra dhe për të mbuluar shkurtimin drastik të buxhetit për shkollat fillore të Tetovës. Po të kishte mundësinë më të vogël, arsyen, shkakun më të vogël, ministri do t’i kishte marrë ingerencat ashtu si i ka marrë te gjimnazi. Jo, nuk ka aspak presion sepse drejtori ka mundur mos të jep dorëheqje dhe këtë që e ka denoncuar në ministri ka mundur ta denoncojë dhe në këtë rast duke pasur parasyshë që Ministria ka mundësi edhe Inspektorati Shtetëror është në kuadër të ministrisë, ka mundur të veprojë”, tha Kasami.

Ish drejtori tani më, Zija Ademi dje shkurt për TV 21 konfirmoi se ka qenë i detyruar nga ana e Komunës së Tetovës që të jep dorëheqje. Në vend të Ademit, drejtoreshë është emëruar Magbule Aliu.

Kujtojmë që Me 11 dhjetor 2023, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri bëri të ditur se kishte marrë një njoftim ku mes tjerash thuhej:

“Me keqardhje ju njoftojmë se më 07.12.2023 komuna e Tetovës nga presione të mëdha bëri që drejtorin e SHFK Istikball z.Zija Ademi të nënshkruaj dorëheqjen për shkak se këtë pozitë e kishte bërë pazar me Alternativën. Kërkojmë që të na ndihmoni të paktën të hapet konkurs për drejtor (ku kemi njoftuar edhe këshillin e shkollës) sepse drejtori në dorëheqje i plotëson kushtet është I pajisur me licencë. Posedojmë procesverbal nga këshilli i prindërve ku të gjithë prindërit unanimisht janë pro Zijaut. Procesverbal nga kolegiumi arsimorë bashkë me peticionin dhe nënshkrimet e mësimdhënësve.”

Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që MASH, BDI dhe Komuna e Tetovës kanë përplasje në sferën e arsimit.