SHBA e vendosi në listë të zezë, Koço Angjushevin, biznesmenin i cili shërbeu si zv.kryeministër

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ia kanë ndaluar hyrjen në shtet të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev pasi që sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit Amerikan është i përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm, njofton Portalb.mk.

“Derisa shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev abuzoi me pozitën e tij zyrtare për të përfituar interesat e tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike. Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar”, thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kjo, sipas DASH, tregon se SHBA do të vazhdojë t’i sanksionojë aktorët e korruptuar në këtë vend dhe tërë rajonin, pavarësisht pozitës së tij, përkatësisë politike ose kohës së keqpërdorimeve.

Në njoftimin e DASH thuhet se ndalesë për hyrje në SHBA i është vendosur edhe gruas së Angjushevit, Elizabeta, dhe fëmijëve, Angel dhe Ognen.

Ndryshe, Angjushev ishte zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, prej qershorit të vitit 2017-të deri më 3 janar të vitit 2020, gjegjësisht për dy vjet e gjysmë, derisa kryeministër ishte Zoran Zaev.

Firma e tij, “Brako” së fundmi ishte në qendër të kritikave pasi që Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë së Koço Angjushevit, “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Më 17 nëntor, gazetarët në RMV protestuan pasi që gjykatësja Jovanka Spirovska Paneva miratoi vendim për një rast të padisë së Koço Angjushevit dhe kompanisë “Brako” kundër IRL-së dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska për për fyerje dhe shpifje. Sipas vendimit, portali IRL për shpifje ndaj biznesmenit Koço Angjushev në emisionin “Konspiracion kundër ajrit”, pa i dhënë mundësi as të përgjigjet apo t’i dërgojë pyetje. IRL u urdhërua t’i paguajë Angjushevit një shumë simbolike prej një euro si dëmshpërblim, si dhe të mbulojë shpenzimet gjyqësore të të dyja palëve.