A ndikon kafja në largimin e stresit?

Me rritjen e orarit tonë të punës, u rritën edhe filxhanët e kafesë. Kafeina është fajësuar për disa simptoma shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, ankthin dhe pagjumësinë, por kohët e fundit, opinioni ka ndryshuar, shkruan Panacea.

Për shumicën e njerëzve në mbarë botën, kafja është një burim energjie, fokusi dhe humori të mirë – nga pijet e ftohta te Americano, ekspreso te Dalgona – të gjithë kanë një të preferuar personale. Shumica e njerëzve që e pëlqejnë atë mbështeten në efektet stimuluese.

Disa studime flasin tani për efektet e saj pozitive, duke sugjeruar që filxhani i kafesë në mëngjes mund të qetësojë dhe të përqendrojë mendjen. Një studim nga Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit thotë se dy deri në tre filxhanë kafe në ditë mund të zvogëlojnë rrezikun e vetëvrasjes me 45%. Dr. Vishakha Shivdasani, një mjeke në Mumbai, thotë: “Nëse dikush vjen tek unë me humor të keq, unë i them të pinë një filxhan kafe në mëngjes për ta përmirësuar atë. Është gjithashtu neuroprotektiv, kështu që ndihmon me demencën”.

Çfarë është kjo pije që na bën kaq vigjilentë dhe të fokusuar?

“Kafja është një substancë stimuluese, psikoaktive që ka një efekt në hormonet në tru dhe në gjëndrat mbiveshkore”, thotë Dr. Shivdasani, “gjë që mund t’ju bëjë të ndiheni mirë pas konsumimit, por mund t’ju bëjë të ndiheni të dobët pasi të kalojë efekti. Në të njëjtën kohë, ajo lëshon adrenalinë dhe hormone të tjera që aktivizohen kur jeni të stresuar”.

Shivdasani shpjegon se kafeina aktivizon sistemin nervor simpatik, i cili është instinkti ynë për mbijetesë.

Kafeja zakonisht ju bën të ndiheni mirë për një afat të shkurtër, por pengon përthithjen e adenozinës, një hormon që qetëson trupin, prandaj ndiheni zgjuar dhe vigjilent. Kafeina mund të rrisë gjithashtu prodhimin e kortizolit, hormonit të stresit. Megjithatë, kombinimi i adrenalinës, kortizolit dhe dopaminës së tepërt, së bashku me mungesën e adenozinës, mund të manifestohet në ndjenjën e lodhjes, pamundësisë për të fjetur dhe rënies së humorit pas kalimit të efekteve.

Për ata që luftojnë me ankthin, efektet e kafesë mund të nxisin ndjenjën e frikës, duke e bërë më keq situatën. Efektet natyrore të kafeinës, të tilla si rritja e rrahjeve të zemrës ose rritja e ritmit të frymëmarrjes, mund të imitojnë simptomat e ankthit.

Dietologia Lovneet Batra rekomandon t’i zëvendësojmë efektet superstimuluese të kafeinës me qumësht, i cili është i mbushur me triptofan qetësues ose qumësht bajamesh, i cili është i pasur me vetitë relaksuese të magnezit.

Si reagon trupi ndaj kafesë

Ndonëse nuk ka dyshim se sasitë e mëdha të kafesë janë të dëmshme, Shivdasani thotë se njerëz të ndryshëm reagojnë ndryshe ndaj kafesë.

“Kjo varet kryesisht nga gjenetika. Njerëzit me rrahje të shpeshta të larta të zemrës ose probleme me tiroidet reagojnë keq ndaj kafeinës” thotë ajo.

Shivdasani dhe Batra rekomandojnë vetëm dy filxhanë kafe në ditë dhe kjo duhet të jetë në gjysmën e parë të ditës.

“Mund ta pini para stërvitjes për t’ju ndihmuar të digjni yndyrën sepse do të jetë karburanti i stërvitjes suaj”, thotë Shivdasani.

Ajo sugjeron që gota e dytë mund të jetë ndërsa jeni duke punuar për t’ju ndihmuar ta ruani përqëndrimin.

Për klientët që duan të shtojnë peshë për t’u stërvitur, Batra rekomandon kafe me një lugë gjelle vaj kokosi në të. “Është një pije e fuqishme për stërvitje me peshë, sepse ndihmon në rritjen e energjisë për djegien e yndyrës”, thotë ajo.

Shivdasani nga ana tjetër, shton se duhet të ndaloni së piri kafe rreth orës 14, sepse efektet e kafeinës zgjatin prej 8 deri në 10 orë.