Autostrada Kërçovë-Ohër: Dy punonjës dyshohet se kanë dëmtuar kabllot elektrike gjatë punimeve

Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Ohër ka paraqitur kallëzim penal kundër 56 vjeçarit me iniciale M.J. nga Kina dhe 62 vjeçarit me iniciale A.N. nga Ohri për shkak të dyshimeve se kanë dëmtuar kabllot elektrike të EVN-së gjatë punës së tyre në autostradën Kërçovë-Ohër, shkruan Portalb.mk.

Sipas kumtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, M.J. është akuzuar për veprat penale “shkatërrim ose dëmtim i objekteve publike” dhe “pakujdesi në punë ose shërbim”, kurse A.N. për veprën penale “pakujdesi në punë ose shërbim”. Të dy janë punonjës të një kompanie ndërtimore dhe dyshohet se gjatë punës së tyre në autostradën Kërçovë-Ohër që po ndërtohet, i kanë dëmtuar kabllot elektrike të instaluara nëntokë, me çka ka pasur ndërprerje rryme për disa persona juridikë dhe fizikë në komunën e Debërcës.

Dëmi material i shkaktuar ka vlerë prej rreth 502.000 denarë.

Rikujtojmë se autostrada Kërçovë-Ohër në gjatësi prej 57 kilometrash është në ndërtim e sipër prej 10 vitesh.

Punimet për ndërtimin e këtij seksioni kanë filluar në shkurt të vitit 2014 nën qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe BDI dhe është dashur të përfundojnë deri në vitin 2018. Por ndërtimi u zgjat dhe ndërkohë qeveria ndryshoi. Sipas arsyetimit të institucioneve kompetente, zgjatja është kryesisht për shkak të lëshimeve në dizajn. Me aneks të Marrëveshjes, afati i ndërtimit u shty deri më 30 qershor 2021 dhe më pas afati është shtyrë sërish edhe për dy vite të tjera, pra deri në fund të vitit 2023, por edhe ky afat tashmë është shkelur. Sipas përllogaritjeve fillestare në vitin 2014, ndërtimi i autostradës nga Kërçova në Ohër është dashur të kushtojë 374 milionë euro, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro.