Zgjedhjet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut do të kushtojnë së paku 12 milionë euro

 Zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare do të na kushtojnë rreth 12 milionë euro me tendencë që kjo shumë të rritet së paku në 15 milionë euro, sepse mund të paraqiten disa gjëra të paparashikuara. Duke pasur parasysh se janë zgjedhje të dyfishta, nuk janë shumë mjete, duke pasur parasysh se votohet edhe jashtë vendit dhe ka nevojë për më shumë angazhim, thotë në intervistën për MIA-n kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski.

“Ne kur u dakorduam me ministrin përcaktuam një shumë, por pasi shkoi buxheti në Kuvend, u shkurtua shumë. Nuk mund t’ju them me saktësi. Shpresoj se për disa veprime, nëse është e nevojshme do të plotësohet Buxheti. Unë thashë rreth një miliard denarë, tani është 600 milionë e diçka, megjithatë me shumë gjasa kjo shifër do të rritet. Tani këtu është shumë e rëndësishme nëse është llogaritur fushata politike me pagesë. Nëse e llogarisim atëherë kjo e rrit sepse bëhet fjalë për një shumë më të madhe, mirëpo asnjëherë nuk i marrim parasysh ato sepse ne jemi si servis, si shpërndarës të atij operacioni. Këtu edhe diaspora tërheq shumë. mund të tërheqë më shumë mjete nga të gjitha këshillat zgjedhir këtu”, thotë Dashtevski.

Në video intervistën me kryetarin e KSHZ-së, flasim për përgatitjet për zgjedhje, si do të ndikojë në proces nëse nuk zgjidhet një anëtar i KSHZ-së, për listën zgjedhore, për përbërjen e KKZ-së dhe Bordeve zgjedhore dhe kërkesa e nënkryetares së KSHZ-së Ditmire Shehu për përbërjen e KKZ-së që të merret parasysh numri i përgjithshëm i popullsisë nga regjistrimi i vitit 2021 dhe jo ai rezident, se çfarë bashkëpunimi pret me qeverinë teknike, a pret një “fushatë të ashpër”.

Ndryshe, më 11 janar, Komitetit Ekzekutiv në VMRO-DPMNE ka vendosur të marrë pjesë në Qeverinë Teknike të Maqedonisë së Veriut. Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike e udhëhequr nga Talat Xhaferi.

Paraprakisht partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë. Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.