BQK: Qarkullimi i bankënotës 500-euroshe u ndalohet vetëm bankave

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) të mërkurën njoftoi se ka ndaluar qarkullimin e bankënotës 500-euroshe, por ka sqaruar se qarkullimi nuk u ndalohet qytetarëve, por bankat nuk mund ta riqarkullojnë atë.

Pra, sipas BQK-së, kjo bankënotë, nuk do të lëshohet nga institucionet financiare.

“Nuk ndalohet qarkullimi i bankënotës 500-euroshe për qytetarët, por bankat nuk mund ta riqarkullojnë (kthejnë në qarkullim) te qytetarët atë”, ka thënë ky institucion në një përgjigje për KOHËN.

Banka Qendrore ka shtuar se qëllimi është që kjo bankënotë të hiqet nga tregu, e është edhe direktivë e Bashkimit Evropian.

Rregullorja e BQK-së hyn në fuqi nga 1 shkurti.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka vendosur të mërkurën ta ndalojë qarkullimin e bankënotës 500-euroshe.

Sipas një njoftimi të BQK-së në Facebook, rregullorja hyn në fuqi nga 1 shkurti.

“Institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 euro”, thuhet në njoftim të BQK-së.

Në Rregulloren e re për operacionet me paratë e gatshme është vendosur po ashtu që me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, “personat fizik dhe personat juridik që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga shuma”.

Rregullorja përcakton “rregullat dhe procedurat e trajtimit të dhe tërheqjes nga qarkullimi i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara, kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara, standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe riqarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Kosovës”.