6 sulme nga qentë endacakë në Tetovë vetëm për një ditë, ndonëse premtoi, Komuna ende nuk ka marrë masa

Pavarësisht se po kalon tre-mujori i parë i vitit, Komuna e Tetovës nuk ka marrë asnjë masë për trajtimin e qenve endacakë të cilët janë gjithandej në qytet dhe që përbëjnë kërcënim për qytetarët. Komuna e Tetovës për zgjidhjen e këtij problemi për vitin 2024 ka ndarë 4 milionë denarë, por ende nuk ka asnjë tender për këtë çështje. Kryetari i Komunës së Tetovës arsyetohet, ndërsa thekson se së shpejti do të ketë zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Qentë endacakë janë rrezik i përditshëm për qytetarët në Tetovë, vetëm me 13 mars u regjistruan 6 raportime për sulme nga qentë endacakë.

Ndërkaq numri i sulmeve është i lartë edhe nga fillimi i vitit.

“Numri i raportimeve për sulme nga qentë endacakë në Tetovë nga fillimi i vitit deri me 14 mars është 26”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ndërsa vetëm vitin e kaluar 2023 në Tetovë u regjistruan 73 raste të kafshimeve nga qentë endacakë.

Komuna e Tetovës për zgjidhjen e këtij problemi për vitin 2024 ka ndarë 4 milionë denarë, por të cilat nuk janë shfrytëzuar ende.

I pyetur për këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se janë procedura administrative gjatë të cilave paraqiten pengesa dhe se do të interesohet që sa më shpejtë të shpallet tenderi.

“Besoj që shpejtë do të ketë zgjidhje, janë procedura të cilat nuk varrën vetëm nga Komuna e Tetovës por bëhen në koordinim edhe me Byronë për furnizime publike”, tha Kasami.

Komuna e Tetovës ka në plan ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë, e cila u paralajmërua edhe në vitin 2023, por që nuk u realizua.

Në këtë drejtim, zgjidhje tjetër shihet edhe ndërtimi i strehimores rajonale për të gjitha komunat e Pollogut, projekt ky i cili po zvarritet me vite.

Ndryshe, analiza e organizatës Infocentar nxori në pah se numri i qenve endacakë dhe sulmeve të tyre ndaj qytetarëve në Maqedoninë e Veriut është rritur, dhe se autoritetet lokale në vend se të merren me pasojat ata duhet të jenë më aktivë dhe të angazhohen në përdorimin e parave dhe kapaciteteve komunale për zgjidhjen e problemit ekzistues, por edhe për parandalim.