Të paktën 80 palestinezë u vranë në sulmet e Izraelit gjatë natës kundër Gazës

Të paktën 80 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite gjatë natës kundër Gazës, transmeton Anadolu.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA tha se Izraeli vazhdoi të sulmonte pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, duke përfshirë kampin e refugjatëve Nusairat dhe qytetin Gaza.

Shumë u plagosën në sulmet që shënjestronin shtëpitë dhe ndërtesat e civilëve në Gaza.

Ushtria bombardoi një shtëpi në rrugën al-Jala, duke lënë shumë banorë të bllokuar nën rrënoja.

Sulmet shkatërruan një ndërtesë shtatëkatëshe pranë spitalit al-Shifa në qytetin Gaza, ku po qëndrojnë palestinezët e zhvendosur, duke rezultuar në vdekjen e dhjetëra personave dhe me shumë të tjerë të bllokuar nën rrënoja.

Ekipet e mbrojtjes civile nxorën trupat e pesë palestinezëve nga rrënojat e ndërtesës, ndërsa përpjekjet e shpëtimit janë duke u zhvilluar.

Të paktën pesë palestinezë u vranë dhe të tjerë u plagosën në një sulm në një shtëpi në lagjen Tuffah të qytetit Gaza.

Sipas Zyrës së Medias të qeverisë së Gazës, shumë persona u vranë në lagjen Nasr kur ushtria bombardoi një shtëpi.

Po ashtu në një shtëpi në kampin e refugjatëve Nusairat, ushtria shënjestroi një shtëpi, duke vrarë të paktën 36 palestinezë.

Izraeli ka vazhduar ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Të paktën 31.490 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza dhe 73.439 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë popullsinë e saj në prag të urisë, veçanërisht banorët në qytetin verior Gaza.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.