Qentë endacak problem edhe i këtij viti në Tetovë, Komuna paralajmëron përsëri strehimore

Përderisa viti 2023 u mbyll me shifra të larta të sulmeve nga qentë endacakë në Tetovë, sulmet kanë vazhduar edhe përgjatë një muaji e pesë ditë sa kanë kaluar nga viti 2024. Komuna e Tetovës për këtë vit ka ndarë 4 milionë denarë për këtë problematikë, shkruan Portalb.mk.

Rreziku nga qentë endacakë në Tetovë është i përditshëm pasi rrugët janë përplot me qen, të cilët shpesh edhe sulmojnë qytetarët.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë, gjatë vitit 2023 në rajonin e Tetovës kafshime kanë raportuar 73 persona.

“Nga 1 janar 2024 deri me 5 shkurt janë raportuar 7 raste të kafshimeve nga qentë endacakë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Mirëpo, këto shifra janë më të larta marrë parasysh se jo çdo qytetar i raporton të njëjtat në polici.

Për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Tetovës këtë vit ka ndarë 4 milionë denarë.

“Sipas planit të programit buxhetor të vitit 2024 janë ndarë 4.000.000 denarë për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë”, u përgjigjën shkurt nga Komuna e Tetovës.

Zgjidhja në Tetovë për këtë problematikë shihet te ndërtimi i strehimores e cila u paralajmërua edhe në vitin 2023, por që nuk u realizua në atë afat.

Në këtë drejtim, zgjidhje tjetër shihet te ndërtimi i strehimores rajonale për të gjitha komunat e Pollogut, projekt ky i cili po zvarritet.

Komuna e Tetovës në fund të dhjetorit 2023 pati deklaruar se është parashikuar përgatitja e një studimi fizibiliteti për identifikimin dhe përcaktimin e një zone publike të përshtatshme për ndërtimin e një qendre rajonale për strehë të qenve të pastrehë.

Ndërkaq, pas as përcaktimit të lokacionit me studim fizibiliteti, sipas komunës do të realizohet projekt konceptual dhe urban, duke përdorur zgjidhjen e projektit të përgatitur më parë për strehimoren rajonale.

Përndryshe, qentë endacakë janë problem në të gjithë shtetin zgjidhje për zë cilin nuk po gjendet.

Së fundmi analiza e organizatës Infocentar nxori në pah se numri i qenve endacakë dhe sulmeve të tyre ndaj qytetarëve është rritur, dhe se autoritetet lokale në vend se të merren me pasojat ata duhet të jenë më aktivë dhe të angazhohen në përdorimin e parave dhe kapaciteteve komunale për zgjidhjen e problemit ekzistues, por edhe për parandalim.