Tetova dhe Gostivari nuk e zgjidhën problemin me qentë endacakë në 2023, nuk u ndërtua as strehimorja rajonale

Tetova dhe Gostivari dështuan edhe vitin 2023 në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë. Pavarësisht shifrave shqetësuese të raportimeve për sulme nga qentë, autoritetet nuk arritën të gjejnë zgjidhje. Nuk u ndërtua as strehimorja rajonale për qentë endacakë në Pollog, raporton Portalb.mk.

Që nga fillimi i vitit 2023 e deri më 18 dhjetor, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë që mbulon rajonin e Pollogut janë regjistruar gjithsej 160 raportime nga qytetarët për sulme nga qentë endacakë. Ky numër është më i lartë pasi jo të gjithë qytetarët i paraqesin rastet.

Shumë premtime dhe sulme në Tetovë, pak punë në terren

Në rajonin e Tetovës dhe komunave përreth që nga 1 janar 2023 e deri më 18 janar janë paraqitur 71 raste të sulmeve nga qentë e rrugës.

“Në periudhën prej 01.01.2023 deri 18.12.2023 në SPB-Tetovë janë raportuar 160-persona të sulmuar nga qentë endacak. Renditja sipas stacioneve policore: Tetovë – 63, Tearcë – 2, Jegunovcë – 1, Grupçin – 1, Zhevovjan – 2, Kamnjan – 1 Kodra e Diellit – 1, gjithsej 71”, thanë nga SPB Tetovë.

Ndërkaq sa u përket kërkesave për dëmshpërblim nga sulmet e qenve endacak në Komunën e Tetovës nga 1 janar 2023 deri më 30 nëntor 2023 numri është 38.

Për qytetarët e Tetovës zgjidhja shihej te strehimorja e paralajmëruar nga kryetari i Komunës së Tetovës, por kjo nuk u realizua.

maj 2023, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se jo më gjatë se për tre muaj pritej të ketë strehimore për trajtimin e qenve endacakë. Por kjo nuk u bë as për tre muaj dhe as për shtatë deri më sot.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk theksojnë se kjo nuk është realizuar dhe problemi që ka shkaktuar këtë vonesë lidhet me iniciativën e zhvillimit të projektit të një strehe rajonale për qentë e pastrehë në Rajonin Planor të Pollogut.

Shifra të larta edhe në Gostivar

“Në periudhën prej 01.01.2023 deri 18.12.2023 janë raportuar rastet si vijon: Stacioni policor në Gostivar – 59, Çegran – 2, Gallatë – 23, Mavrovë – 5, gjithsej 89”, thanë nga SPB Tetovë.

Nga Komuna e Gostivarit të pyetur për atë se çfarë kanë bërë për të zgjidhur këtë problem në vitin 2023 theksojnë se kanë hapur tender për trajtimin e qenve endacakë dhe u ndanë 25 mijë euro për një vjet, për mbledhjen e qenve endacakë, trajtimin  si dhe dërgimin e tyre në stacionar në përputhje me kontratën me Komunën e Gostivarit.

“Për shkak të intervenimeve të shumta të kompanisë, realizimi i tenderit ka përfunduar për 6 muaj, ndërsa për momentin është hapur procedurë tjetër për trajtimin e qenve endacakë”, thanë nga Komuna e Gostivarit.

Strehimorja rajonale i mbetet vitit 2024

Zgjidhja e problemit të qenve endacakë për gjithë Pollogun shihet te ndërtimi i strehimores rajonale. Por që edhe ky projekt po zvarritet.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk përmendi këtë nismë duke theksuar se në periudhën e kaluar, një projekt bazë u zhvillua me të gjitha fazat e projektit për strehë rajonale për qentë e pastrehë në Rajonin Planor të Pollogut. Lokacioni i planifikuar ishte Bërvenicë, megjithatë gjatë fazës së zhvillimit të Projektit Urbanistik, u konstatua se parcela e caktuar nuk ishte e përshtatshme për nevojat e strehës rajonale të qenve të pastrehë.

“Për të adresuar këtë problem, është parashikuar përgatitja e një studimi fizibiliteti për identifikimin dhe përcaktimin e një zone publike të përshtatshme për ndërtimin e një qendre rajonale për strehë të qenve të pastrehë. Qëllimi i këtij studimi është të analizojë dokumentet e vlefshme të planifikimit dhe të përcaktojë një lokacion të përshtatshëm duke mbajtur takime koordinuese. Pas përcaktimit të lokacionit me një studim fizibiliteti, do të realizohet një Projekt Konceptual dhe Urban, duke përdorur zgjidhjen e projektit të përgatitur më parë për strehë rajonale për qentë e pastrehë në Rajonin Planor të Pollogut”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Përndryshe, ky problem nuk është vetëm i këtyre dy qyteteve. E gjithë Maqedonia e Veriut nuk po gjen zgjidhje për këtë problem. Së fundmi edhe analiza e organizatës Infocentar tregoi se numri i qenve endacakë dhe sulmeve të tyre ndaj qytetarëve është rritur, dhe se autoritetet lokale në vend se të merren me pasojat ata duhet të jenë më aktivë dhe zë angazhohen në përdorimin e parave dhe kapaciteteve komunale për zgjidhjen e problemit ekzistues, por edhe për parandalim.