30 vite marrëdhënie me BE: Shkupi shënoi përvjetorin e partneritetit evropian

Në Shkup është shënuar 30-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në një ngjarje zyrtare ku u theksua rruga tre dekadëshe e bashkëpunimit dhe integrimit evropian të vendit. Në aktivitet u përkujtua edhe 25-vjetori i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si një nga shtyllat kryesore të afrimit me BE-në, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimet e mbajtura, u nënvizua se gjatë këtyre 30 viteve partneriteti me Bashkimin Evropian ka qenë i vazhdueshëm dhe i orientuar drejt reformave dhe përafrimit me standardet evropiane. U theksua se procesi i integrimit evropian mbetet një objektiv strategjik dhe i pandryshuar për vendin.

Gjithashtu u përmend se pas përfundimit të procesit të skriningut, fokusi i institucioneve është vendosur në përshpejtimin e reformave në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi ekonomik, me synimin për të avancuar më tej rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sipas ambasadorit të BE-së Michalis Rokas, e gjitha që i duhet Maqedonisë së Veriut për të përshpejtuar rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian është pak pragmatizëm, vendosmëri dhe bashkim politik. Ai është i bindur se vendi i përket familjes evropiane dhe se ne jemi më afër këtij qëllimi sesa mendojmë.

“Në 20-25 vitet e fundit, shpresat dhe entuziazmi kanë qenë të larta, por ka pasur edhe pengesa dhe zhgënjime gjatë viteve dhe pyetja është se si mund t’i kapërcejmë problemet dhe të ecim përpara sepse nuk ka dyshim se Maqedonia i përket familjes evropiane dhe në fakt, ne jemi shumë më afër sesa mendojmë”, tha ambasadori i BE-së Rokas.

Kjo, siç thotë ai, është e nevojshme për të bërë hapin e fundit, vendimtar përpara.

“Mendoj se qytetarët ndonjëherë harrojnë se si Bashkimi Evropian është një partner dhe mik i vazhdueshëm, i ngushtë, si dhe një partner i besueshëm në të gjitha aspektet – nga momentet e krizës, te Marrëveshja e Ohrit, pastaj Marrëveshja e Përzhinos, por edhe fakti që ne jemi të pranishëm edhe ekonomikisht – 75 përqind e eksporteve të Maqedonisë shkojnë në BE. Kompanitë e BE-së gjithashtu vijnë në vend dhe investojnë, prandaj dy të tretat e investimeve të huaja direkte vijnë nga vendet anëtare të BE-së”, theksoi Rokas.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, nga ana tjetër, theksoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, duke nënvizuar se pas përfundimit të screening-ut, fokusi është vendosur tek përshpejtimi i reformave.

“Tridhjetë vite partneritet dhe 25 vite nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dëshmojnë se rruga jonë evropiane është e qartë dhe e pakthyeshme. Sot, integrimi nuk është vetëm një qëllim – është proces i dorëzimit të rezultateve konkrete,” u shpreh Sali.

Ai shtoi se përmes Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes, vendi tashmë po jep rezultate të matshme në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike dhe qeverisja ekonomike.

Ministri theksoi se një proces i besueshëm zgjerimi kërkon përkushtim të dyanshëm – reforma reale nga vendet kandidate dhe parashikueshmëri nga Bashkimi Evropian.

“Ambicia jonë është e qartë – anëtarësim i plotë në Bashkimin Evropian,” theksoi Sali.

Përndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.