U botua libri “Arktektura e bindjes: Komunikimi politik nga Agora te demokracia digjitale” nga Demush Bajramit

 “Arktektura e bindjes: Komunikimi politik nga Agora te demokracia digjitale” është botimi më i ri nga profesori Demush Bajrami, i cili i dedikohet komunikimit politik në epokën digjitale, duke synuar të ndihmojë lexuesit ta kuptojnë më mirë botën komplekse të informacionit dhe mediave të reja, shkruan Portalb.mk.

Libri eksploron transformimin e sferës publike, ndikimin e rrjeteve sociale dhe sfidat që burojnë nga dezinformimi dhe lajmet e rreme (“fake news”), duke ofruar një kombinim të analizës teorike dhe reflektimit kritik.

Në fokus është roli i qytetarit si aktor aktiv në ndërtimin e diskursit publik.

Demush Bajrami, për Portalb.mk, tha se ky libër analizon transformimin e komunikimit politik në epokën digjitale dhe ndikimin që mediat e reja kanë në marrëdhëniet midis politikës, mediave dhe shoqërisë.

Bajrami shtoi se duke u mbështetur në literaturën bashkëkohore të studimeve të komunikimit dhe të shkencave politike, liro trajton mënyrën se si zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar strukturën e komunikimit publik dhe strategjitë e komunikimit politik.

“Libri bazohet kryesisht në tezën time të magjistraturës dhe në një pjesë të disertacionit të doktoratës. Përmbajtja e tij është pasuruar me literaturën dhe studimet më bashkëkohore të dekadës së fundit, veçanërisht në fushën e platformave digjitale dhe inteligjencës artificiale”, tha Bajrami.

Recensuesit Zamir Dika dhe Bujar Hoxha, e cilësojnë librin si një kontribut të vlefshëm për studentët dhe profesionistët e fushës, ndërsa redaktori Admir Qose, ka siguruar një strukturë të qartë dhe të qasshme për lexuesin.

Botimi është realizuar nga Universiteti i Evropës Jugliundore. Ky libër synon të shërbejë si një udhërrëfyes praktik dhe intelektual për këdo që kërkon të kuptojë dhe të navigojë në realitetin e ri komunikues të shekullit XXI.