18 të vdekur dhe 14 të plagosur në një aksident rrugor në Pakistan

Të paktën 18 pasagjerë u dogjën për vdekje dhe 14 të tjerë u plagosën kur një autobus pasagjerësh mori flakë pasi u përplas me një furgon në provincën verilindore të Pakistanit Punjab sot në mëngjes, tha policia, transmeton Anadolu.

Aksidenti fatal ndodhi pranë rrethit Hafizabad, rreth 124 kilometra nga kryeqyteti i provincës Lahore, ku autobusi fatkeq u përplas në furgonin që mbante fuçi me naftë.

Shefi i policisë së rrethit, Fahad Ahmad, u tha gazetarëve se trupat e djegur të të paktën 18 pasagjerëve janë nxjerrë nga autobusi, ndërsa të plagosurit, katër prej tyre në gjendje kritike, janë dërguar në spital.

Autobusi transportonte 40-50 pasagjerë nga porti i Karaçit për në kryeqytetin Islamabad.

Në aksident kanë humbur jetën edhe drejtuesit e të dy automjeteve, shtoi Ahmad.

Pamjet e transmetuara në transmetuesin lokal “Geo News” treguan autobusin plotësisht të djegur të shtrirë në mes të rrugës.

Aksidentet rrugore janë të zakonshme në Pakistan, kryesisht për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë dhe infrastrukturës joadekuate.