Ambiciet e Teheranit në Ballkan, mijëra dronë për Serbinë

Qeveria serbe përveç Rusisë si duket ka gjetur një partner të fortë në Lindje. Irani është shteti ku Serbia mendon se një bashkëpunim në fushën ushtarake me blerjen e raketave dhe dronëve do të forcojë Serbinë. Ndoshta Beogradi ka të drejtë këtu, pasi me blerjen e disa qindrave dronëve nga Republika Islamike e Iranit e gjithë siguria në rajon është vënë në rrezik, sepse Beogradi do ta zhvillojë aftësinë e projektimit të forcës.

Në kohën kur Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, kontrata me Iranin është një shuplakë tjetër për Perëndimin. Në dhjetor të vitit 2022, ministri i Jashtëm iranian Hosein Abdollahi ishte për vizitë zyrtare në Serbi. Vizita e ministrit iranian u vlerësua historike duke nënvizuar ambiciet e Teheranit zyrtarë që shkojnë përtej Gjirit Persik.

Kështu Irani me këtë lëvizje tregon se rajoni i Ballkanit mbetet i hapur për ndikim tani dhe në të ardhmen. Nuk voni shumë, në delegacion i MPJ-së të Serbisë në gusht të këtij viti porositi 20,000 mijë dronë “Shahed”-136 nga Irani, njoftuan mediat perëndimore. Delegacioni serb kryesohej nga zëvendësministri i Jashtëm Goran Aleksiç, i cili zhvilloi bisedime me homologun iranian Ali Bagheri.

Bashkëpunimi në mes Serbisë dhe Iranit në fushën e eksporteve sinjalizon se Irani është i aftë dhe i gatshëm të shfrytëzojë ndjeshmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, e njëkohësisht për t’i çuar përpara qëllimet e Republikës Islamike të Iranit përtej Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër, Serbia ka aftësi diplomatike të nuhasë shumë para ngjarjet se nga lëvizin SHBA-të në politikën e jashtme.

Pas njoftimeve se Uashingtoni po i afrohet Teheranit rreth nevojës së mosdërgimit të armëve Rusisë në këmbim të zbutjes së sanksioneve po ndaj Iranit, Serbia haptazi e ka ngritur bashkëpunimin me Iranin. Marrëdhëniet serbo-iraniane kanë një histori të gjatë që nga mesjeta, koha e RSFJ-së dhe pas vitit 2016-të, kur po këto raporte në mes dy shteteve marrin një dinamikë të re dhe zhvillohen me një shpejtësi të madhe. Serbia si shtet që synon BE-në vepron në kundërshtim me politikat e BE-së dhe të SHBA-së rreth sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.

Për këtë politikë të jashtme dhe të sigurisë, Serbia si duket ka marrë dritë të gjelbërt po nga SHBA dhe BE edhe atë pa pasoja. Marrëdhëniet bashkëkohore politike në mes Serbisë dhe Teheranit kanë një traditë mbi 80 vjeçare. Karakterizohen me kontakte të rregullta të zyrtarëve të lartë në mes dy qeverive. Një mbështetje të madhe nga Teherani zyrtarë, Serbia ka marrë për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Republika Islamike e Iranit.

Në kuadër të tregtisë së armëve, përveç nga Irani, Beogradi në vitin 2020 ka blerë dronë Ch-92A të prodhimit nga Kina me rreze veprimi deri në 250 kilometra, dhe për më shumë se dhjetë vite ka blerë dhe marrë ndihma nga Rusia. Serbia me anë blerjes së dronëve nga Irani dukshëm do ta forcojë kapacitetin ushtarak, duke u bërë kështu shteti i parë dhe më i fuqishëm në Ballkan, me paraqitje të rrezikut të lartë për shtetet anëtare të NATO-s po nga Ballkani. Ky bashkëpunim në mes dy vendeve mbështetet në përfitimet në mes dy qeverive. E para, Serbia do ta përforcojë edhe më shumë programin e dronëve dhe ushtrinë, dhe e dyta ka të bëjë me vetë Iranin dhe politikën e Teheranit për të shtrirë ndikimin në Evropë, duke hyrë në konkurencë me shtetet e BE-së, dhe Turqinë.

Furnizimi nga Irani me dronë, do të rrisë potencialin jo vetëm të Serbinë, por kjo teston paralelisht ambiciet afatgjate të Iranit në Ballkan, ku njëherit njihet si shtet që ka aftësi në fushën kibernetike dhe të ndikojë pse jo në vendet e brishta të rajonit. Shqetësuese në plan afatgjatë mbetet përsëri në fokus politika dhe kapacitetet e ushtrisë serbe për të rrezikuar fqinjët. Një politikë e tillë nënkupton se Serbia nuk e ka ndërmend të bëhet anëtare e NATO-s, pasi një shtet demokratik për synim ka të promovojë politika paqësore dhe të mbrojtjes në koordinim me të shteteve të aleancës perëndimore- NATO-s.

Pasi Serbia gjendet larg një anëtarësimi të afërt, atëherë mbetet të shihet dhe të vlerësohet nëse Beogradi do të vazhdojë edhe më tej armatosjen me armë të teknologjisë së fundit, dhe pse po e bën këtë. Për më shumë, këtu duhet vrojtuar nëse do të ketë ndonjë reagim nga SHBA-ja rreth politikave të Serbisë me Iranin. Në kohën e rënies së interesit të Serbisë për në BE dhe NATO, vakumi gjeopolitik shumë lehtë po mbushet nga fuqitë jashtë kontinentit evropian.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.