Zjarri në Vallandovë ende aktiv, janë lënduar dy punonjës të NP “Pyjet e Maqedonisë”

Zjarri që shpërtheu dje pasdite rreth orës 14:00 në afërsi të Gërçishtes në Vallandovë dhe që kërcënoi të përfshijë shtëpitë e para në fshat ende nuk është vënë nën kontroll, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacionit nga zëvendësdrejtori i NP “Pyjet e Maqedonisë”, Kire Mihailov, të publikuar në profilin e tij në Facebook, zjarri ka katër pika kritike dhe ato janë mbuluar që nga mëngjesi i hershëm.

“Për fat të keq, dy kolegë nga NP “Pyjet e Maqedonisë” u plagosën lehtë në zjarrin e djeshëm, njëri prej të cilëve mori mbështetje me oksigjen, ndërsa tjetri u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës për ndihmë të mëtejshme. Gjatë ditës së sotme, përparësi është mbrojtja e fshatrave Marvincë dhe Balincë dhe sigurisht gjithçka tjetër pas kësaj”, njoftoi Mihailov.

Ai shtoi se sot katër degë të “Pyjet e Maqedonisë” do të dërgojnë edhe 25 punëtorë me automjete dhe pajisje të përshtatshme, të cilët do t’u bashkohen ekipeve të zjarrfikësve.

Sipas informacioneve të mëngjesit nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), përveç zjarrit midis fshatrave Gërçishtë dhe Marvinc, zjarr ka edhe në Komunën e Bogdancit në këtë rajon, ku digjet bimësi e ulët dhe shkurre.

Sipas informacionit nga kryetari i komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov, nuk ka të lënduar ose shtëpi të djegura, por një numër i madh zjarrfikësish dhe pajisjesh teknike janë angazhuar në shuarjen e zjarrit.

“Përveç Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Vallandovës, ekipe u dërguan edhe nga Strumica, Dojrani, Gjevgjelia, Radovishi dhe Kavadari, dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme po merr pjesë gjithashtu në shuarjen e tij. Situata është serioze dhe po marrim të gjitha masat për ta vënë zjarrin e madh nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tij”, tha Kostadinov për MIA-n.

Sipas videove të publikuara nga zjarrfikësit dhe mediat lokale, shihet se bëhet fjalë për një zjarr të madh, i cili në disa raste kërcënoi të përfshijë shtëpitë e para në Grçisht, dhe prania e një ambulance është gjithashtu e dukshme.

Ndryshe, viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), pjesë e programit të Kopernikut,

Madje, në gushtin e vitit të kaluar vendi e aktivizoi Mekanizmin për Mbrojtjen Civile të BE-së për shkak të numrit të madh të zjarreve. Si rezultat, dhjetë ekipe zjarrfikëse ajrore nga gjashtë vende të ndryshme anëtare të BE-së u vendosën në të gjithë vendin për të luftuar zjarret.