Shkruan: Nexhat Bexheti
Prej disa dekadash e këndej e deri te plasja e luftërave këtu afër, në mes të superfuqive ushtarake, nëpër faqet e shtypit botëror si dhe tek tanët, lajmet gazetareske e vërshuan ekspres eterin informativ, u mbush me lajme senzacionale, lajme të verifikuara, shumica të pa verifikuara. Artikuj dhe raporte të plasuara nga amatorë pa eksperiencë, në dallim nga gazetarët me përvoja paraprake të cilët ishin prezent në mes vatrave të krizave dhe shumica humbën jetën, njihen si gazetar me eksperiencë profesionale eksplorative dhe investigative, që në mënyrë objektive do të pasqyronin realitetin e zymtë në të cilin është katandisur bota.
Sakrificat e tyre e pasurojnë cilësinë e jetës së përbashkët. Në vend të kësaj jemi të bombarduar me shkrime sensacionale të formateve fantazmagorike, të cilat përveç se na ngazëllejnë instiktet e egra, sepse si më duket se kënaqemi me ndodhitë katastrofike gjersa humbet e jeta e fëmijëve grave dhe rinisë.
Asgjë nuk kontribuojnë në ngritjen e vetëdijes mbi përgjegjësinë kolektive dhe individuale kundruall krizës së thellë politike, ekonomike, sociale, psikologjike, humane dhe sidomos asaj solidare.
Të merremi vesh, misioni dhe detyra parësore e gazetareve, publicistëve dhe atyre që për profesion vetes ia kanë detyruar të shkruarit, si aktivitet më të sofistikuar intelektual, është pasqyrimi sa më real i dukurive dhe fenomeneve shoqërore.
Përceptimi dhe kuptimi rrënjësor i kataklizmit tonë për vatrat e krizave të armatosura në luftërat e pakuptimta ubikvitare nuk mund të procedohet përmes performancave mitike mbi fushëbetejat dhe heronjtë të hiperbolizuar ose heroizmave të udhëheqësve Gjenerala për të ngritur ndonjë hero të betejës mbrapa skenave.
Lajmet nga tereni medoemos të filtrohen dhe t’u jepet karakter logjik derisa të dalë në faqet e para si lajm senzacional pa karakter komercial. Përkundrazi duhet thënë dhe treguar troç në sy, pa kozmetike manipulative dhe pa prapavije intrigante.
Duhet pra kërkuar dhe hulumtuar në detaje përgjegjësinë e atyre që janë më të thirrur në menaxhimin e çështjeve me interes global, kurse për çdo keqpërdorues dhe shkelës të kodeksit gazetaresk të jepet fatktografi relevante.
Kështu, siç na kanë anestezuar gazetat dhe portalet elektronike, dalëngadalë do të besojmë se edhe gomari fluturon, pretendojnë duke e përgatitur terrenin për të shpallur më pastaj edhe luftënxitësit dhe kriminelët ordiner si laureat dhe fitues të çmimeve dhe mirënjohjeve më të larta nga sfera e paqes.
Tekefundit ky inversion total i sistemit të vlerësimit dhe stratifikimit social do të jetë edhe mikrobi toksemik i perspektivës dhe zhvillimit informativ global apo nacional.
Nuk qëndron konstatimi se groposjen e ardhmërisë së fëmijëve tanë na e bëjnë luftërat dhe tërmetet në vendet tejoqeanike, ashtu siç pledojnë autorët e shkrimeve editoriale të njëjtat. Përkundrazi, janë dhe shihen në pikë të drekës në raportet hostile ndërpersonale, transakcionet koruptive, mashtrimet e çdoditshme nëpër institucione, abuzimet djallëzore nëpër shërbimet publike, e kështu me radhë.
Poqese këto dhe shumë dukuri negative nuk i njollos penda e atyre që dinë të shkruajnë, atëherë edhe veprimtaria juaj fisnike, të nderuar pararendës së fjalës së lirë, do të shndërrohet në zanatin e tellallëve të katundit.