Zjarret në Jasen dhe Jazhincë ende aktive
Më 17/18.08.2025, deri në orën 07:00, në territorin e Republikës së Maqedonisë ka gjithsej 28 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat 1 zjarr është aktiv, 1 është nën kontroll dhe 26 zjarre janë shuar, transmeton Portalb.mk.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, zjarri në Komunën e Makedonski Brod: Zonë shumëfunksionale Jasen (pyll i përzier) është ende aktiv.
Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM) njoftoi se për shkak të zjarrit në Parkun Kombëtar “Jasen#, rruga rajonale R1106 Makedonski Brod – Shkup është e mbyllur për qarkullim për të gjitha llojet e automjeteve.
Ndërsa zjarri në Komunën e Jegunovcës: Midis fshatrave Rogaçevë, Jazhincë, Orashje e poshtme (kullota dhe pyll i përzier) është vënë nën kontroll.
Periudhën e kaluar u shuan 26 zjarre në disa komuna.
Vetëm muajin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë djegur mbi 6.000 hektarë pyje ndërsa që nga fillimi i vitit pothuajse 9.000 hektarë.
Zjarret, si ato të viteve të mëparshme, edhe këtë vit e kanë karakterizuar verën në vendin tonë.
Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve, si dhe aktivitetet njerëzore, në disa raste të qëllimshme, janë arsyet kryesore që malet, por edhe deponitë dhe arat po digjen.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).