Ali Podrimja është poeti më i përkthyer shqiptar. Ai është zëri i përhershmërisë. Vepra e tij do të lexohet edhe nga lexuesit që ende s’kanë lindur.
I përkushtuar ndaj çdo cepi të atdheut, Podrimja qëndronte mbi ideologjitë dhe ishte kundër provincializmit, që vazhdon të jetë shumë i shprehur në qarqet tona politike e kulturore.
Në vitet ’90 shpesh ndalej në Tetovë ose në Gostivar, para se të udhëtonte jashtë vendit, ku merrte pjesë në ngjarje të shumta kulturore apo në promovime të librave që i përktheheshin në gjuhë të ndryshme.
Bisedat me të silleshin rreth letërsisë dhe gjendjes së rëndë në viset shqiptare, veçanërisht në Kosovë.
Kur fillova të punoj si gazetar e luta për një intervistë, edhe pse e dija që i kishte inat. Në fillim refuzoi, por shkaku i miqësisë ndërroi mendim. Pak para se të hynim në studio ma bëri me dije se intervista nuk duhej të zgjaste më shumë se njëzet minuta. I thashë se emisioni ishte gjysmë ore. Ishte i stresuar. “Hajt se nuk e ke problem të flasësh”, i thashë. “E kam problem sepse nuk kam defekt profesional”, ma tha shumë seriozisht.
Intervista me Podrimjen ishte e zorshme. Ai fliste shkurt dhe duhej të ndërhyja me pyetje të shumta.
Podrimja më sugjeroi që sa më parë ta braktisja gazetarinë, sepse ishte profesion dinamik dhe i kushtëzuar nga ngjarjet ditore e kalimtare, kurse gjuha e gazetarisë duhet t’i përshtatej edhe lexuesit pa kërkesa të veçanta estetike.
Përndryshe, Ali Podrimjen e kam njohur para se ta takoja. Poezinë “Rektimë”, që e kishte shkruar më 1980, babai e mbante në kuletë. Është një poezi për Shkupin, qytetin që im atë e donte pafundësisht.
Librat e Ali Podrimjes i mbaj në dhomën e ndejës. I shfletoj herë pas here dhe marr shënime, sepse dua të shkruaj një libër për krijimtarinë e tij, por kam bindjen se s’do ta shkruaj kurrë. Për poetët që i duam dhe i vlerësojmë e kemi më të vështirë të shkruajmë, sepse duam të krijojmë diçka përtej mundësive tona.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.