“Festa e librit 2025” vjen me edicionin e pestë në Gostivar
Prej datës 25 -29 korrik, me fillim nga ora 20.00 në Gostivar, do të mbahet edicioni i pestë i panairit të librit “Festa e Librit 2025”. Ky aktivitet kulturor organizohet nga Lidhja Shqiptare në Botë-Kuvendi për Maqedoninë e Veriut në bashkëveprim me Qendra Mosaic dhe Komunën e Gostivarit, shkruan Portalb.mk.
Shpend Bajrami Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë – Kuvendi për Maqedoninë e Veriut, për Portalb.mk tha se libri shqip mungon edhe për ata që jetojnë dhe veprojmë këtu në këto troje dhe jo vetëm për mërgimtarët.
“Sivjet festa do të mbahet nga data 25-29 korrik, me qëllim që t’u ofrohet një mundësi e “prekjes”, të librit shqip edhe mërgatës shqiptare të kësaj ane, gjë që vërtet u mungon. Libri shqip në tërësi është pak prezent në këto anë-Maqedoninë e Veriut, për shembull në Gostivar po dhe më gjerë nuk ka as edhe një librari me libra shqip, duke përjashtuar Tetovën që atje gjendja është pak më ndryshe dhe mundë të gjejmë libra. Pra dua të theksoj se libri shqip mungon edhe për ne që jetojmë dhe veprojmë këtu në troje dhe jo vetëm për mërgimtarët. Prandaj një event si ky që mundohemi me mish e me shpirt ta mbajmë gjallë, mendoj se i plotëson sado pak ato nevoja të lexuesit shqiptar në këto anë. Njëkohësisht nxit dhe motivon lexues të rinjë. Do ta theksoja se të dhënat nga Biblioteka e qytetit thonë se ka rritje të lexuesve në Gostivar”, tha Bajrami.
Ai edhe më tej shtoi se në këtë edicion do të marrin pjesë një numër i madh i shtëpive botuese.
“Sivjet mund të them se kemi një numër më të madh të shtëpive botuese që do të marrin pjesë në festën e librit-në panairin e librit në Gostivar, mbrëmjet promovuese do të jenë po aq të pasura me program letrar, artistik dhe do të jetë një festë vërtetë e bukur me figura shumë të rëndësishme të letrave shqipe si Besnik Mustafaj, Valdeta Dulahi, Nazmi Rahmani, Katiola Karoli. Ne jemi krenarë që vit për vit interesi i krijuesve, i shtëpive botuese po ashtu dhe i lexuesve njëkohësht rritet. Me këtë dua të them se ia kemi arritur qëllimit që t’i bashkojmë shqiptarët në një pikë ku mundë të kuvendojmë e të dëgjomë krijuesit e mirënjohur të kohës”, tha Bajrami.
Ai theksoi se ata qëndrojnë fuqishëm në realizimin e platformës duke gjetur rrugë nga më të ndryshmet për të qenë bashkë ashtu siç e do dhe e drejta natyrore e çdo kombi.
“Lidhja Shqiptare në Botë në Platformën e saj ka bashkimin-lidhjen e fijeve të shkëputura ndërmjet shqiptarëve dhe ne me këtë rast sadopak arrijmë të relalizojmë një pikë të platformës – bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Ne qëndrojmë fuqishëm në realizimin e platformës duke gjetur rrugë nga më të ndryshmet për të qenë bashkë ashtu siç e do dhe e drejta natyrore e çdo kombi. Kur hartuam këtë projekt-festën e librit, ishim të mendimit se gjërat e bukura nuk bëhen vetëm, dhe vërtet na u bashkunan dhe shoqata, institucione, subjekte afariste që disa prej tyre tanimë janë pjesë bashkëvepruese e jona. Ne në ketë event jemi ngushtë në bashkëveprim me Qendrën Mosaic, Komunën e Gostivarit, Qendra Shift-Tetovë, tani dhe Komuna e Vrapcishtit na u bashkua, Qendra për Kulturë në Gostivar, subjekti afarist NaniPrint dhe shumë subjekte dhe individ të tjerë që kërkoj ndjesë që nuk do t’i përmend tani në këtë çast, artistët e mirënjohur të Gostivarit, Tetovës, Strugës, Shkodrës …”, tha Bajrami.
Bajrami tha se qëllimi i tyre është nxitja, motivimi, mundësia e bashkëbisedimit me krijuesin, ekspozimin e titujve të rinj që shtëpitë botuese do t’u ofrojnë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Qëllimi ynë edhe një herë do ta theksoj është nxitja, motivimi i lexuesve të rinjë, mundësia për të bashkëbiseduar me krijuesin-autorin e librit që do të promovojë, ekspozimin e titujve të rinj që shtëpitë botuese do t’u ofrojnë lexuesve shqiptar në Maqedoninë e Veriut, dhe qëllimi më kryesor mbetet bashkimi shpirtëror i të gjithë shqiptarëve edhe pse me nje event është shumë pak por do të thoja se pika pika mbushet pusi, kështu që edhe iniciativat e tjera individuale siç përmenda më sipër e bëjnë të veten dhe plotësojnë – vënë një gurë në kështjellë”, tha Bajrami.
“Festa e librit 2025”, do të përfshin këto aktivitete:
- Panair libri me shtëpi botuese nga të gjitha trojet shqiptare .
- Mbrëmjet promovuese ku autorë të ftuar do të prezantojnë veprat e tyre përpara lexuesit në ambient të hapur në sheshin e qytetit .
- Program artistik që shoqëron çdo mbrëmje promovuese.
- Në stenda shitet vetëm libri shqip.
- Stendat për botuesit janë falas për dallim nga panairet tjera.