ZËRA NË SHKRETËTIRË

Të flasësh dhe të shkruash për gjëra esenciale në kohën e zhurmës shurdhuese dhe të spektakleve të neveritshme, është si të flasësh në shkretëtirë.

Të shkosh kundër turmës, do të thotë të bëhesh dele e zezë e përjashtuar nga fisi.

Bota e sotme programohet që mos ta dëgjojë të vërtetën, por t’i dëgjojë rrëfimet që i ka dëgjuar mijëra herë.

Ata që merren me punët publike më nuk flasin për strategji, por për njerëz dhe ngjarje kalimtare.

Prijësit më nuk shquhen për fjalime brilante, që nuk i mposht tirania e kohës, por për fjalime “të kapshme” për turmën.

“Vendi pa liderë shpirtërorë, politikë dhe kulturorë është i dënuar të zhytet në injorancë”, tha shkrimtari afgan Atiq Rahimi, i shqetësuar me ata që duan gjithçka të fillojë nga e sotmja dhe që duan një botë pa art, pa estetikë dhe pa kulturë.

PROGRAMIMI. Në kohën kur vlerësohet e parëndësishmja dhe shpërfillet esencialja, është shumë e vështirë të flasësh me gjuhën e harruar.

“Nuk është e lehtë të jesh rrëfimtar në botën që zgjedh gjithnjë e më shumë thashethemet në internet në vend të njohurive, amnezinë në vend të kujtesës, apatinë në vend të ndjeshmërisë, uniformitetin në vend të shumëllojshmërisë, dogmën në vend të dyshimit, tiraninë në vend të demokracisë dhe, në fund të fundit, heshtjen në vend të të rrëfyerit”, shkroi Elif Shafak në shkrimin “Rrëfimi i historive duhet të ngadhënjejë në një botë ku demokracia kërcënohet” të botuar më 2022 në “The New Statesman”.

Shafak i krahasoi shkrimtarët e sotëm me peshqit në lumenj shumë të ndotur, të cilët notojnë duke kërkuar furishëm qeskat e fundit të oksigjenit të mbetur, derisa të shkurajohen dhe të tërhiqen duke rënë në pesimizëm. Sipas saj, kjo ndodh sepse ideatorët e autoritarizmit populist, ultranacionalist, të ekstremizmit dhe të shovinizmit, nuk duan që ky zë të dëgjohet, sepse e dinë që fjalët e shkrimtarit mund të jenë të rënda dhe se letërsia, në thelbin e vet, është rezistencë.

NJERËZ, NGJARJE DHE IDE. Sot, në vend se të dëgjohen zërat që flasin për të vërtetat e trishta, zhurmojnë gjithollogët. Ata nuk ofrojnë asnjë formulë për ndryshimin e gjendjes në një shoqëri, por vetëm janë në shërbim të konjukturave të ndryshme, qofshin politike apo ekonomike.

Në skenë janë ngjitur prijës pa thellësi mendimi që merren me njerëz dhe ngjarje, por jo edhe me ide.

Për mbrothësinë e një shoqërie nuk mjaftojnë vetëm idetë. Por, kur mungojnë idetë, atëherë nuk ka vepra. Ka vetëm përsëritje dhe banalitet.

Populli që udhëhiqet nga kësi liderësh, i ngjan anijes së humbur në det, të cilën e drejtojnë erërat e fatit. Fati nuk ka qenë dorëlëshuar me popujt pa liderë shpirtërorë, politikë dhe kulturorë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre