Galeria e Shkodrës pa vepra nga autorët shqiptarë nga RMV-ja, distanca dhe doganat pengesë për bashkëpunim
Si një nga institucionet më të rëndësishme të artit pamor shqiptar, Galeria e Arteve e Shkodrës mbetet një pikë referimi për ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë artistike. Koleksioni i saj prej mbi 800 veprash përfaqëson një pasuri që shtrihet në periudha dhe rryma të ndryshme krijuese, duke e bërë këtë galeri një qendër të rëndësishme të kulturës kombëtare, shkruan Portalb.mk.
Fatmir Juka, drejtor i këtij institucioni për Portalb.mk tha se koleksioni i Galerisë së Arteve të Shkodrës është një pasqyrë e zhvillimit shoqëror dhe artistik të Shqipërisë në tri epoka të mëdha historike
“Koleksioni i Galerisë së Arteve të Shkodrës ruan një fond të rëndësishëm veprash, ku përtej vlerës së tyre artistike, rëndësi të veçantë mbart fakti se ky fond konservon rregullsinë estetike dhe botëkuptimin artistik që ka qenë aktiv në tri periudha të ndryshme të zhvillimeve shoqërore dhe politike të Shqipërisë, e në veçanti të Shkodrës. Për nga rëndësia që mbartin, veprat në fjalë nisin me përfaqësues të periudhës së Rilindjes Kombëtare, kryesisht në pikturë dhe skulpturë. Më pas, koleksioni vijon me periudhën e Realizmit Socialist, për t’u pasuruar më tej me vepra të realizuara pas ndryshimeve politike të viteve ’90. Në vitet 2000, koleksioni zgjerohet edhe më shumë dhe pasurohet me vepra të artit bashkëkohor, duke përfshirë mediume të ndryshme si fotografi, video, instalacion e forma të tjera të shprehjes artistike”, tha Juka.

Ai shtoi se ky institucion realizon aktivitete të ndryshme gjatë vitit kalendarik.
“Galeria organizon dy ekspozita me karakter konkurues: “Çmimi i Artit Bashkëkohor ‘Kolë Idromeno’” dhe “Salloni i Vjeshtës”. Ekspozita e parë synon të promovojë krijimtarinë e të rinjve. Përmes temave kuratoriale dhe përfshirjes së përfaqësuesve me ndikim në zhvillimet bashkëkohore artistike, të cilët ftohen nga institucioni, kjo ekspozitë bëhet pjesë e filozofisë dhe misionit të Galerisë për ruajtjen e trashëgimisë artistike, promovimin e vlerave të reja dhe stimulimin e krijimtarisë.
Aktiviteti i dytë është “Salloni i Vjeshtës”, një event i përvitshëm që vlerëson dhe çmon krijimtarinë përmes shpërblimeve përkatëse. Nëpërmjet kurimit dhe temës së përzgjedhur, Galeria synon të “zbulojë” krijuesit premtues, veprën më të realizuar dhe autorin më të mirë, duke i dhënë hapësirë dhe afirmim emrave të rinj të artit shqiptar”, tha Juka.

Ai shtoi se Galeria e Shkodrës nuk është vetëm një hapësirë ekspozimi por magnet i artit shqiptar.
“Duke qenë një nga institucionet e vetme në veriun e Shqipërisë që ka këtë potencial, Galeria shndërrohet në një “magnet” për shumë aktivitete bashkëpunuese. Përmes grupeve artistësh apo individësh, nxiten edhe dhurimet e veprave, sidomos kur institucionit i mbështeten ngjarjet që vetë artistët propozojnë. Galeria mbetet gjithmonë një hapësirë e dëshiruar për të prezantuar dhe për të ruajtur një vepër arti, nga artistë që kërkojnë me dinjitet përfaqësimin përkrah emrave të rëndësishëm të artit shqiptar”, tha Juka.

Fatkeqësisht, deri më tani Galeria e Arteve e Shkodrës nuk ka në fondin e saj asnjë vepër nga autorë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, përfaqësuesit e institucionit theksojnë se shpesh kanë drejtuar ftesa edhe ndaj artistëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, me synimin për t’i përfshirë ata në aktivitetet dhe ekspozitat e organizuara nga Galeria. Sipas tyre, distanca e madhe në kilometra dhe procedurat e kalimit në dogana mund të kenë ndikuar që ky bashkëpunim të mos konkretizohet, duke e vështirësuar transportin e veprave dhe duke zbehur vullnetet për pjesëmarrje.