Xhevrie Tule dhe ëndrra e saj për koncerte në gjithë botën
E re në moshë, por përplot ambicie. Puna është çelësi i suksesit të saj. Pianoja për të është jeta ku është e pafundme. Janë 88 taste përmes të cilave ajo flet me epokat e kompozitorëve dhe përmes tyre me ne, shkruan Portalb.mk.
Xhevrie Tule është 18 vjeçare dhe për momentin e mbështetur nga familja e saj jeton në Shkup duke ndjekur një ëndërr, që është muzika.
Edukimin muzikor e ka filluar në moshën 6 vjeçare, në Shkollen fillore “Metodi Patçe” në Ohër , në klasën e prof. Daniel Çurkovski ku pati suksese të mëdha.
Nga viti 2019 deri në vitin 2021 është studente në DMBUC-Shkup, në klasën e Prof. Edita Rusi. Prej vitit 2022 mëson te prof. Vesna Angelova Hristov. Ajo mori pjesë në disa seminare me profesorë të shquar.
Performon rregullisht në koncerte dhe recitale në vend dhe rajon. Ka marrë pjesë në shumë gara kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është fituese e të gjitha çmimeve të para dhe çmimeve speciale (laureate), konkurse shtetërore, dhe si (laureate në kategori).
- Konkursi ndërkombëtar “Ars Kosova”, Prishtinë (dy herë me radhë si laureate)
- Konkursi Ndërkombëtar EPTA-Albania, “Polyhymnia” – Shkup, Polyhymnia çmimi i parë dhe çmimi për performancën më të mirë të F. Chopin.
Gjithashtu ka qenë dhe në masterklas në Gjermani tek prof. Heribert Koch , dhe ka mbajtur koncerte ne tri vende të ndryshme Köln, Aachen, Düren. Ka marrë pjesë në masterklas në Slloveni dhe Kroaci, ka qenë projekt lidhur me Erasmus+ dhe Polihimnija. Në vitin 2024 ka marrë pjesë me orkestrën e Filarmonisë së Republikës së Maqedonisë me koncertin për piano dhe orkestër nga D.Shostakovich.
Ajo për muzikën thotë: ” Muzika është arti i shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve me anë të tingujve. Çdo ditë zbulon gjëra të reja rreth saj, tingujt e ndryshëm që të shtyn të dashurohesh me të çdo ditë e më shumë si dhe çdo kompozitor ka disponimin dhe karakterin e tij në çdo vepër dhe ti duhet të mundohesh të bashkëngjitësh në çdo stil dhe epokë të tyre.
Xhevrija si çdo artist ka synimet e veta, planet për të ardhmen: “Synoj të koncertoj në çdo vend të botës dhe të jem inspirim dhe motivim i pianistëve të ardhshëm”.
Puna qëndron pas shumë sukseseve të Xhevrijes e cila me moshën që ka, ka arritur shumë. Thotë se punon mbi 5- 6 orë në ditë. Por, a ka fat në këtë punë?!
“Mendoj se të dyja janë të rëndësishme, por puna të sjellë realizimin e fatit”.
Pas punës gjithnjë vinë sukseset, kjo gjë tashmë dihet: “Suksesin tim e kam arritur falë Zotit që ma ka dhuruar këtë talent prej në lindje si dhe punës së pa lodhur prej në moshën 6 vjeçare, duke ushtruar çdo dit. I falënderoj profesorët e mi që me punën e tyre të palodhshme më kanë mësuar dhe udhëzuar se si të arrihet suksesi në piano. Gjithashtu i falënderoj dhe prindërit e mi për përkrahjen dhe mbështetjen.