Sofja pretendon se pejxherët që shpërthyen në Liban nuk u shitën nga Bullgaria
Bullgaria nuk ka importuar, eksportuar apo prodhuar pejxherë të llojit që shpërthyen të martën në Liban dhe Siri, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Për më tepër, kompania bullgare “Norta Global Ltd”, që paraprakisht ishte raportuar se kishte marrë pjesë në zinxhirin e shitjes së pejxherëve, nuk ka kryer asnjë transaksion të shitjes, nën juridiksionin e Bullgarisë.
Kështu njoftoi më 20 shtator Agjencia Kombëtare e Sigurisë e Bullgarisë (DANS). Në njoftim u tha se deri në këtë përfundim agjencia erdhi pas një hetimi të përbashkët që kreu me Agjencinë Kombëtare të të Ardhurave, Ministrinë e Brendshme dhe Doganat.
Lajmi për gjetjet e hetimit të DANS-it vjen vetëm një ditë pasi kjo agjenci njoftoi se po niste një hetim të tillë.