Kovaçevski dhe Xhaferi dhanë dorëheqje nga funksionet, vendi drejt qeverisë teknike
Paraditen e sotme, kryeministri Dimitar Kovaçevski personalisht ka dorëzuar dorëheqjen në Kuvend, që do të thotë se e gjithë Qeveria jep dorëheqje deri në zgjedhjen e qeverisë teknike të dielën, më 28 janar. Pas tij, dorëheqje dha edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në përputhje me Nenin 115 të Rregullores për punën e Kuvendit. Ai e autorizoi nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Misovskin, të kryesojë me seancën plenare të caktuar më 26 janar 2024, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Kovaçevski para Kuvendit dha një deklaratë të shkurtër për media në të cilën vuri në dukje të arriturat më të mëdha në mandatin e kësaj qeverie, ndërsa për kryeministrin teknik Talat Xhaferi tha se është një politikan me përvojë që ka shumë përvojë në drejtimin e Kuvendit dhe vlerësoi se stili do të jetë i ndryshëm, por se shteti do të ruajë drejtimin e tij strategjik.
“Ne patëm një takim jozyrtar me ministrat në të cilin i falënderova për punën e palodhur në dy vitet e fundit. Sot, siç thashë, do të bëj atë që e kërkon ligji. Dorëheqja ime është firmosur, tani do ta çoj në arkiv. Do të takohemi me kryetarin e Kuvendit, do t’i uroj procedurë të suksesshme deri të dielën, e më pas zgjedhje të suksesshme për kryeministër teknik”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski shprehu bindjen se më 9 maj do ta udhëheqë qeverinë e re.
“Kam ardhur me një përvojë tjetër në drejtimin e korporatave, kështu që me siguri stili do të jetë i ndryshëm, por shteti sigurisht do të mbajë drejtimin e tij strategjik, që është orientimi perëndimor, partneriteti strategjik në SHBA dhe qeveria teknike do të kujdeset gjithashtu për qytetarët, siç e kemi bërë dy vitet e fundit, sepse jemi ende në krizë. Kjo është diçka që është e paraparë me ligj, më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë dhe kjo shumicë parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.
Pas marrjes së dorëheqjes së Kovaçevskit, Xhaferi ka njoftuar kryetarin e shtetit Stevo Pendarovski.
Dorëheqjet e Kovaçevskit dhe Xhaferit janë hapi i parë formal-ligjor drejt formimit të qeverisë teknike që duhet të zgjidhet më 28 janar.
Nesër, më 26 janar, siç ka sqaruar Xhaferi, kryetari i shtetit Stevo Pendarovski duhet t’ia besojë Qeverisë teknike mandatin e kryeministrit dhe afatet do të fillojnë të ecin.
Më 27 paradite, Xhaferi duhet të paraqesë në Kuvend programin dhe përbërjen e Qeverisë dhe seanca zgjedhore të thirret më 28 janar.
Siç sqaroi ai, për kompletimin e qeverisë teknike do të thirret një seancë tjetër për të votuar zëvendësministrat shtesë dhe për të verifikuar mandatin e një deputeti.
Xhaferi dje tha se ndonëse janë planifikuar dy ditë debat, sipas praktikës së krijuar, ai ka përfunduar brenda një dite.
Në lidhje me njoftimet se VMRO-DPMNE nuk do ta votojë, tha se nuk e shqetëson kush dhe si do ta votojë. Lidhur me deklaratat e përfaqësuesve të opozitës shqiptare, ai tha se nuk i komenton ato.
Zgjedhjet e dyfishta, të cilat do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti, do t’i kushtojnë shtetit pothuajse 17 milionë euro, nga të cilat gjashtë milionë euro do të përdoren për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe për përgatitjet që kanë të bëjnë me realizimin e zgjedhjeve dhe mbi dhjetë milionë euro do të përdoren për reklama politike me pagesë, njoftoi dje KShZ, ku u votuan gjithsej 22 pika të rendit të ditës.
Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.
Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.