Xhaferi është kundër që reklamimi parazgjedhor i partive të paguhet me para shtetërore

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi thotë se është kundër që reklamimi parazgjedhor i partive politike të bëhet me para nga Buxheti shtetëror. Ai këtë e deklaroi duke u përgjigjur në pyetje gazetareske nëse vlerëson se partitë duhet që të heqin dorë nga reklamimi me para shtetërore duke e pasur parasysh se ndryshimet e këtilla ende nuk janë miratuar në Kodin Zgjedhor, njofton Portalb.mk.

“Në vitin 2019 kishte ndryshim të ASHMAA-së, nenit famoz 102. Kur u deklarova atëherë se jam kundër, mediat, veçanërisht pesë televizionet nacionale, më akuzuan se punoj kundër tyre. Operatorët gjithashtu akuzuan se punoj kundër tyre. Qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për reklama në kuptimin e periudhës parazgjedhore. Por, do të shkoni në shtëpitë tuaja (mediatike) dhe do të pyesni pse insistojnë mu në këtë ligj. Unë megjithatë do të jem i akuzuar, por qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për atë punë”, tha Xhaferi.

Kundër qëndrimit të Xhaferit është zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, i cili nuk mendon se partitë politike duhet që të heqin dorë nga reklamimi i financuar nga paratë shtetërore. Duke e sqaruar qëndrimin e tij në emisionin e “360 Gradë”, ai tha se procesi është “publik dhe transparent”.  Për mosvotimin e ndryshimeve në Kodin Penal, Grubi, gishtin e drejtoi kah VMRO-DPMNE-ja.

Si pothuajse pas çdo cikli zgjedhor, ashtu edhe pas zgjedhjeve të fundit, vendi mori rekomandime nga OSBE-ODIHR – si të përmirësohet procesi zgjedhor. Ndoshta ajo që është vendimtare, kërkohet një model i ri, më i drejtë për përfaqësimin mediatik të partive. Aktualisht marketingu politik i partive paguhet nga shteti dhe pothuajse të gjitha paratë dhe hapësirat reklamuese shkojnë për partitë e mëdha.