U publikua video-incizimi ku truproja e Mickoskit sulmoi fizikisht kolegun e tij polic

Incizimet nga kamerat e sigurisë prej një lokali të njohur në Shkup deri te të cilat erdhi “360 Gradë”, tregojnë se çfarë ka ndodhur saktësisht në natën mes 17 dhe 18 dhjetor kur Ivica B., anëtar i sigurimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka sulmuar një koleg të tij polic, i cili ka qenë në detyrë, transmeton Portalb.mk.

Në fillim të videos, shihet Ivica B. (i veshur me bluzë të zezë) dhe Vllatko G. (i veshur me xhaketë dimri ngjyrë portokalle) bisedojnë në brendësi të lokalit.

Për shkurt kohë Ivica B. fillon ta shtyjë Vllatko G. dhe e nxjerr jashtë objektit, ku vazhdon shtyrja.

Vrapojnë dhe persona tjerë të Njësitit për Tregtim të Palejuar në MPB, të cilët janë në detyrë, dhe tentojnë që t’i ndajnë, por Ivica B. në një moment e tund dorën e majtë dhe me grusht e godit Vllatko G. në kokë.

Pas kësaj, shihet si Ivica B. vazhdon t’i drejtohet Vllatko G. dhe e tund gishtin drejt tij duke lënë përshtypje se po kërcënohet. Në një moment, sërish e godet në fytyrë.

Ndodhitë janë incizuar nga dy kënde të ndryshme, kështu që incidenti shtihet qartë.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, në Facebook, pyet pse zyrtarët tjerë policorë të cilët kanë qenë në detyrë, gjatë kohës së incidentit nuk kanë ndërmarrë masa që ta mposhtin sulmuesin.

“Dhunuesi tung gishtin dhe i kërcënohet zyrtarit policor që dëshiron të kryejë aksion policor për shkatërrim të drogës… Pyetje 1: Me çka i kërcënohet? Për shkurt kohë vijmë në pushtet, do të shohësh!? Pyetje 2: Pse zyrtarët tjerë policorë nuk ndërmarrin veprime që ta mposhtin dhe arrestojnë menjëherë? Pyetje 3: Edhe sa ditë do t’i duhen Sektorit për Kontroll të Brendshëm që ta konstatojë atë që qartë duket. MVRO e vjetër e mirë…”.

Sigurimi i Mickosit, i cili është i punësuar në Drejtorinë e Gjashtë, dje u suspendua nga puna për shkak incidentit. Ministri Pançe Toshkovski informoi se ai ka kryer dhunë dhe ka shkelur nderin e policisë. Toshkovski njoftoi se kundër anëtarit të Drejtorisë së Gjashtë do të bëhet kallëzim penal për sulm ndaj zyrtarit.