Qeveria ndau edhe 2,5 milionë euro për Hekurudhat e Maqedonisë, e cila vazhdimisht është në borxhe

Sh.A. Hekurudhat e Maqedonisë – Transport do të marrin ndihmë me vlerë prej 2,5 milionë euro për pagesën e pagave dhe për shlyerjen e obligimeve, para të cilat janë ndarë me vendim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, njofton Portalb.mk.

Ky është vendimi i dytë për ndarjen e mjeteve për HM-Transport që t’i shlyej borxhet pasi që Qeveria më 10 nëntor të vitit të kaluar gjithashtu mu pagoi 16 milionë euro për pagesën e borxheve për rrymë elektrike.

Mjetet e fundit janë siguruar nga buxheti i Ministrisë resorë, ndërkaq do të transferohen në llogari të veçantë të kompanisë hekurudhore, e cila në vazhdimësi është në humbje.

“Zëri transferime të ndryshme është rritur për 151 milionë denarë, të cilat do të shfrytëzohen për pagesën e pagave dhe kompensimeve nga paga për të punësuarit, por edhe për pagesën e obligimeve ndaj furnizuesve tjerë të Hekurudhës – Transport Sh.A. Shkup”, thuhet në vendimin qeveritar të miratuar më 13 shkurt.