RMV, edhe në këto zgjedhje qytetarët do t’i paguajnë reklamat e partive

Si pothuajse pas çdo cikli zgjedhor, ashtu edhe pas zgjedhjeve të fundit, vendi mori rekomandime nga OSBE-ODIHR – si të përmirësohet procesi zgjedhor. Ndoshta ajo që është vendimtare, kërkohet një model i ri, më i drejtë për përfaqësimin mediatik të partive. Aktualisht marketingu politik i partive paguhet nga shteti dhe pothuajse të gjitha paratë dhe hapësirat reklamuese shkojnë për partitë e mëdha, raporton 360Stepeni, transmeton Portalb.mk.

Ka një konsensus për ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor. Por vetëm me ekspertë. Prej rreth dy muajsh, projekt-amendamentet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të ODIHR-it janë në dorën e deputetëve, por ende nuk ka një projektligj të dorëzuar në Kuvend. Mos vallë sepse propozimi parashikon edhe heqjen e reklamave politike të paguara nga shteti?

“Unë supozoj se kjo është tema, sepse nuk shoh problem në rekomandimet e OSBE-ODIHR, deri më tani nuk kam dëgjuar që dikush të reagojë për ato rekomandime. Supozoj se bëhet fjalë për atë pjesë, por gjithsesi duhet të sigurohet konsensus”, tha kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski në një intervistë për “360 Gradë” të transmetuar më 5 shkurt.

A do të sigurohet ai konsensus dhe a do të pranojnë partitë më të mëdha të anulojnë paratë për reklamat që qytetarët i vënë në dispozicion përmes buxhetit të shtetit?

Pas çdo cikli zgjedhor OSBE-ODIHR, si faktori ndërkombëtar më i rëndësishëm në fushën e zgjedhjeve, del me rekomandime – çfarë duhet ndryshuar për të avancuar procesin. Kjo e fundit u bë publike pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor 2021. Prej tyre mund të konkludohet se duhet të bëhet një rishikim i gjerë i legjislacionit zgjedhor, ku rregullat për fushatën dhe mediat duhet të sigurojnë mundësi të barabarta për të gjithë.

Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë krijoi një grup pune në të cilin ishin ftuar partitë politike, autoritetet shtetërore, shoqatat e medias dhe ekspertët. VMRO-DPMNE-ja opozitare refuzoi të delegojë një përfaqësues për shkak të mosmarrëveshjes me pushtetin – kur të mbahen zgjedhjet.

Grupi i punës filloi punën në maj 2023. Për shkak të shtrirjes së materialit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, puna u nda në gjashtë nëngrupe.

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele kishte përfaqësuesin e saj në nëngrupin që punoi për ndryshimet në sferën e fushatës zgjedhore dhe mediave. Drejtori i Agjencisë, Zoran Trajçevski, thotë se rekomandimet e tyre ishin të qarta – të ndalet marketingu politik i sponsorizuar nga shteti.

Nga ana tjetër në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë premtoi që ky version i punës do të dërgohet te të gjithë partitë politike parlamentare, ndërsa përgjegjës për miratimin dhe përmbajtjen e Kodit Zgjedhor do ta kenë deputetët.

Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.