Vuçiq u kërkoi zyrtarëve serbë që të kenë kujdes me deklaratat për Maqedoninë e Veriut

Pas reagimeve të shumta për deklaratën provokuese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi të ministrit serb të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq, se dy shtetet kanë bërë gabim me njohjen e pavarësisë së Kosovës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot u përpoq që reagimeve të tilla të një prej zyrtarëve më të afërm të tij tu përgjigjet me një ton më diplomatik, transmeton Portalb.mk.

Vuçiq sot nga Athina iu referua deklaratës së ministrit Vuçeviq, dhe u bëri thirrje zyrtarëve serbë që të jenë më të kujdesshëm që të mos thonë diçka që, siç tha ai, mund të përdoret nga disa.

“Dua të kërkoj nga zyrtarët tanë, edhe kur nuk kanë qëllim, të jenë më të kujdesshëm që të mos dalë diçka që mund të përdoret nga disa, që të mos na bëjnë të njëjtë me Kurtin”, tha Aleksandar Vuçiq.

Ai shtoi se mbrëmë ka biseduar me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe ndër të tjera temë e bisedës ka qenë deklarata e ministrit serb të Mbrojtjes.

“Prandaj mbrëmë fola gjatë me Kovaçevskin dhe i thashë – nëse dikush në Maqedoninë e Veriut ndihet i ofenduar nga ndonjë gjë që ka thënë dikush, edhe pse mendoj se nuk ka arsye për këtë, nuk ka problem – kërkoj falje, maqedonasit janë vëllezërit tanë dhe ne nuk kemi asnjë problem me ta. Por ai (Kovaçevski), me të vërtetë, ka folur shumë ashpër kundër Kurtit para të gjithëve, gjë që ka habitur shumë”, tha Vuçiq.

Ndryshe, ngjarja për të cilën po flet Vuçiq dhe për të cilën, sipas tij, ka reaguar kryeministri maqedonas, i referohet vizitës të kryeministrit të Kosovës në Shkup dhe Tetovë dhjetë ditë më parë.

Në anën tjetër, këtë fundjavë ministri serb i Mbrojtjes tha se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i kanë gabuar Serbisë duke e njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se ky akt paraqet një ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të një vendi.

“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në Aleancën e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra të Aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë më. Duhet të shikosh çfarë ka në histori, të kuptosh pak rrethanat e tjera dhe të kuptosh se çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre. Ne nuk duam të udhëheqim politikën e tyre, kjo është çështje e tyre. Por mund të themi se 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Nëse është “ok” për maqedonasit, është “ok” edhe për ne, vetëm se padyshim do të keni një politikë që ata të mos e shohin Maqedoninë si vendin e tyre”, thotë Vuçeviq në një deklaratë me të cilën ndërhyn në çështjet e brendshme të Maqedonisë.

Pas propagandës nxitëse të ministrit serb të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, me reagime dolën zyrtarë të lartë shtetërorë nga vendi, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Ndaj deklaratës së Vuçeviqit ka reaguar ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, i cili në rrjetin social Twitter ka shkruar se vendi i hedh poshtë ndërhyrjet dhe deklaratat e papërshtatshme të zyrtarëve nga vendet fqinje.

Pas reagimit të Osmanit, ministri serb i Mbrojtjes në vend që t’i kërkonte falje Maqedonisë për ndërhyrje në punët e brendshme dhe të jashtme të vendit, Vuçeviq u grind me Bujar Osmanin në rrjetin social Twitter.

Ndaj deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes ka reaguar edhe presidenti malazez Jakov Milatoviq, i cili ka theksuar se është e papranueshme përpjekja për të ndërhyrë me aktorë të huaj në formimin e qeverisë së re malazeze.

Deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes, i cili vlerësoi se kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, duke theksuar se “Evropa e madhe” është e vetmja e ardhme e tre vendeve.

Rama i kujtoi Vuçeviqit se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si vende anëtare të NATO-s janë plotësisht të përkushtuara për sigurinë reciproke dhe integritetin territorial.