Ministri serb i Mbrojtjes me deklarata provokuese: Maqedonia dhe Mali i Zi gabuan me Kosovën

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gabuan ndaj Serbisë duke e njohur pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se ai akt ishte ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të një vendi, tha ministri serb i Mbrojtjes dhe presidenti i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Millosh Vuçeviq, raporton gazeta malazeze Pobjeda, transmeton Portalb.mk.

“Gabuat dhe do iu bie në kokë, ashtu siç iu ra në kokë të gjithë atyre që e promovuan Kosovën dhe Metohinë si shtet të pavarur në Ukrainë. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk ju besojnë”, tha Vuçeviq për TV serb Pink.

Në propagandën e tij nxitëse ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, Vuçeviq thotë se është i mendimit se ka mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj.

“A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në Aleancën e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra të Aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë më. Duhet të shikosh çfarë ka në histori, të kuptosh pak rrethanat e tjera dhe të kuptosh se çfarë po ndodh në oborrin e shtëpisë së tyre. Ne nuk duam të udhëheqim politikën e tyre, kjo është çështje e tyre. Por mund të themi se 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të pushtetit në Maqedoninë e Veriut. Nëse është “ok” për maqedonasit, është “ok” edhe për ne, vetëm se padyshim do të keni një politikë që ata të mos e shohin Maqedoninë si vendin e tyre”, thotë Vuçeviq në një deklaratë me të cilën ndërhyn në çështjet e brendshme të Maqedonisë.

Vuçeviq vlerëson se ka një konsensus mbarëshqiptar për bashkim kombëtar dhe se “serbët naivë mendojnë se kjo nuk mund të ndodhë dhe se nuk ka ndryshime të kufijve”.

“Unë nuk do të flija i qetë, por kjo është një pyetje për Shkupin dhe le të shohë Podgorica se çfarë do të bëjë. Unë shoh se tani pyetja më e madhe për ta është nëse partitë serbe, apo partia serbe, apo koalicioni mund të lejohen të vijnë në pushtet me, kushtimisht, disa ministri të vogla. Në Maqedoninë e Veriut, 25 për qind e shqiptarëve kanë 50 për qind të qeverisë, ndërsa në Mal të Zi, 30 për qind e serbëve nuk mund të kenë dy ministri apo edhe një. Thonë se po ndërhyjmë në punët e brendshme. Ju ndërhyni në punët tona të brendshme – e keni njohur Kosovën, a ka ndërhyrje më të keqe, më të pahijshme dhe më të hapur në punët e brendshme”, tha ministri serb i Mbrojtjes Vuçeviq.