RMV-ja refuzon ndërhyrjet e papërshtatshme nga Serbia, reagoi Osmani

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut – Bujar Osmani reagoi ndaj deklaratave provokuese të ministrit serb të Mbrojtjes i cili tha se RMV-ja dhe Mali i Zi kanë gabuar duke e njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Ministri serb i mbrojtjes dhe presidenti i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Millosh Vuçeviq referuar pavarësisë së Kosovës tha se RMV-ja dhe Mali i Zi gabuan dhe se ndërhynë në punët e brendshme të një vendi.

“Gabuat dhe do iu bie në kokë, ashtu siç iu ra në kokë të gjithë atyre që e promovuan Kosovën dhe Metohinë si shtet të pavarur në Ukrainë. Ju keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake”, tha Vuçeviq për TV serb Pink.

Ministri i Jashtëm i RMV-së – Bujar Osmani kërkoi sqarim nga ministri serb i Mbrojtjes.

“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Angazhohemi për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë R. e Sërbisë dhe R. e Kosovës.  Presim sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shkroi Osmani Twitter.

Ndërkaq kësaj iu përgjigj Vuçeviq.

“Mbështetja jonë për integritetin territorial të të gjitha shteteve anëtare të OKB-së është e pakushtëzuar. Megjithatë, ne nuk mund të lavdërojmë mosrespektimin e askujt për integritetin tonë territorial. Ngjarjet e fundit kanë vërtetuar paralajmërimet tona se Kosova  nuk është rast sui generis”, tha mes tjerash Vuçeviq në Twitter.

Në lidhje me këtë rast, reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë – Edi Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter i cili i cilësoi si të rrezikshme e të papranueshme deklaratat nga ana e Serbisë.