Vrasje e dyfishtë në Kumanovë, vrau motrën dhe nipin

Dy persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë në një tragjedi familjare të ndodhur sot në fshatin Gabresh të Kumanovës, raporton Portalb.mk.

Vëllai ka qëlluar ndaj motrës dhe nipërve të tij, me çka motra me të birin vdiqën, ndërsa njëri nga djemtë mbeti i plagosur.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë njoftoi se në orën 12:25 minuta, punonjësit e policisë kanë privuar D. F. (66) pasi në fshatin Gabresh të Kumanovës për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura pronësore-juridike ka shtënë me armë zjarri në drejtim të motrës së tij D. R. (63), dhe djemtë e saj Zh. R. (36) dhe T. R. (38).

“Ndihma e shpejtë mjekësore ka konfirmuar vdekjen e D. R. dhe T. R., ndërsa Zh. R. është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës”, thanë nga SPB Kumanovë.

Spitali i Kumanovës njoftoi se i lënduari me tri plagë me armë zjarri është transferuar në Klinikat e Shkupit.

Policia njoftoi se hetimet janë duke vazhduar.