Vjosa Osmani alarmoi se është kërcënuar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një konferencë për media ku njoftoi se nuk do ta bëjë dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, foli edhe për disa kërcënime që thotë se ajo i ka marrë nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë, raporton Kallxo. Sipas saj, në një vend demokratik këta persona do përfundonin jashtë sistemit.

“Unë ju inkurajoj që ta lexoni dokumentin dhe e shihni se çka vërtetë është shqetësuese në vendin tonë. Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, mbajeni mend këtë, ata që mendojnë që mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit  në një vend demokratik”- është shprehur Osmani.

Osmani theksoi se shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimit të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat.

Ajo shtoi se për këtë arsye Vetingu në drejtësi është proces i domosdoshëm, pasi sipas saj, presionet janë të paligjshme.

“Për fat të keq e kemi një sistem çfarë e kemi, prandaj Vetingu është i domosdoshëm si proces. Ato janë presione të paligjshme, kur mendojnë që duke kërcënuar kreun e shtetit do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë, do të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin asnjëherë me presione të tilla, por vetëm me vlerësimet ë ligjit e kushtetutës. Unë jam tërësisht e varur nga kushtetuta dhe ligjet e vendit tim. Këtë besoj që ta kenë të qartë të gjithë ata që mendojnë se ndryshe merren vendimet”- shtoi tutje Presidentja Osmani.

Derisa, kur Osmani u pyet nëse i ka njoftuar organet e rendit për këto kërcënime, ajo u shpreh.

“Kjo do duhej të ishte procedura, në raste kur funksionin një sistem i drejtësisë. Kjo është sikur të thuash shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar” – u shpreh ajo.

Vjosa Osmani theksoi se prej kur është në politikë asnjëherë nuk ka dal publikisht të deklaroj se është e kërcënuar pa dëshmi konkrete.

“Nga viti 1999 jam në politikë, asnjëherë nuk kam dal në publik të them që jam kërcënuar apo presion nga dikush. Është hera e parë, ju mund ta konfirmoni këtë. Duhet të jeni të sigurtë që unë nuk dal dhe të flas për gjëra të tilla pa dëshmi konkrete dhe pa ardhur vërtetë ato. Atë e përmenda, jo që ka ndonjë ndikim në vendimmarrjen time, por thjesht të jetë një mesazh për institucionet që kështu nuk merren vendimet”- shtoi tutje Osmani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten e kaluar ka marrë vendim që t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me një letër urgjente për dekretimin e Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.