Vërtejshta e shejshta

Shkruan: Syrja Etemi

Syrja Etemi
Syrja Etemi

Po e nisi këtë reportazh për një vend magjik, ku udhët humbin emrin dhe gjethet i flasin erës me gjuhën e kohëve të lashta. Një vend që nuk të pret si mysafir, por të njeh si biri i humbur që kthehet e që të vështron me qetësinë e një historie të gjatë, të pathënë, të gdhendur në gurë e rrënjë, në shkurre të egra e përrenj që këndojnë heshtur. Këtu, në këtë vend ku, çdo kthesë është një kujtim i gjallë, çdo luginë – një pëshpëritje e motit të shkuar. Era bart aromën e dëllinjave të kuqe dhe rrëfen për njerëz që dikur e deshën këtë vend aq thellë, sa i lanë emrin mbi malet, e, që akoma, me krenari të pashoqe mban këtë emër: V ë r t e j sh t, e që mbi këtë tokë të thyer e të bekuar, e gjelbra lulëzon me krenari të heshtur, duke ruajtur me fanatizëm misteret e saj.

Vërtejshta s’është thjesht një copë natyre – është një fletë e gjallë e kujtesës, ku çdo hap zgjon një ëndërr të fjetur. Dhe në këtë ëndërr ecën udhëtari i sotëm, me sytë nga majat e largëta dhe zemrën në rrënjët që nuk janë tharë kurrë, ashtu siç e fillova unë hapin për këtë reportazh.

Vërtejshta /Foto e realizuar nga Marsim Neziri në gusht të vitit 2025
Vërtejshta /Foto e realizuar nga Marsim Neziri në gusht të vitit 2025

Në fundin e Udhës së Govedarit që fillon nga Brezna (e Malësisë së zonës së Tearcës) dhe Udhës së Vërtejshtës që i thuan në të folmen vendçe – Sllatinasët, e që fillon nga “kurora” e këtij katundi, të shfaqet një kodrinë e butë e mbushur me vegjetacion plotë gjelbrim që të mahnitë e të bën për vete. Takon kullotat e lëna djerr, duke ndjekur përroin e quajtur: Ujt’i Trëndafilit, qafat dhe laket e udhës që gjarpëron nëpër “Fejrin” e lartë deri 2 m. , për t’u futur në pyjet (shubutin) e ahishteve të shumta. Hera herës, zhurma e ujit të kajaqeve që rendin duke gurgulluar nëpër lugje e gurishte të rrumbullakosura, të kënaq me reflekset e çuditshme plotë valëzime të ndritshme nga rrezet e diellit, por, edhe me freskinë e ajrit të pastër. Ndërsa ngjitesh lart kreshtave hijerënda, ndjen madhështinë me pamjet e majave të maleve të Vërtejshtës, me njollat margaritar të gjelbërta të shkurreve e fierishteve. E, mrekullia e natyrës nuk ka të mbaruar, ajo, jo vetëm se të josh me këto relieve të thyera e buta , por, të fut në galeritë e të panjohurave të saja. Në xhepat e këtyre shkëmbinjëve, në këto plasaritje, duken shumë barishte, që të ngjajnë si lulishte të varura ballkoneve të shtëpive të Rrafshit, madje, edhe drurët xhuxha, shkurret e llojeve që nga ahu, shkoza, frashëri, deri te dëllinja e kuqe dhe zezë; dredhëzat, manaferrat, qershejkët e kulumritë, që i gjen thuase në çdo kënd e, në stinë të caktuara, që zgjojnë nga kllapia copëzat e historirave të fjetur, nuk dihet se sa e sa kohë…

Malësorët e kohërave të thella të këtyre anëve, janë çvendosur moti e, s’dihet se kurrë, e, s’dihet se ku kanë “ikur”, për të bulzuar vetëm të pandehmat. Kuptohet, stërgjyshërit e moçëm e stërmoçëm, aty ku kanë gjetur ujë, tokë e malin pranë, kanë ndërtuar vatrat e tyre modeste, për të ardhur një kohë tjetër, që s’dihet se kurrë, edhe t’i braktisin përfundimisht, e, për t’i ngelur këtij vendi vetëm emërtimi: V ë r t e j s h t.

Kjo shtjellë është formuar me thyerjen e fuqishme tektonike dhe në pjesën më të madhe ka formën e germës “A”, ku, më matanë rrjedh lumi i gajasur i S ll a t e j n ë s, i cili di të tregohet, herë i sertë, e herë i butë. Shpatet e tij janë shumë të pjerrëta, kurse shtrati është i ngushtë dhe vazhdon rrjedhën drejtëpërsëdrejti në shkëmbinj rrënjësorë përplotë katarakte.

Përgjatë rrugës për në thellësi të pyjeve të Vërtejshtës, shpesh mund të pikasësh maja shkëmbore të larta e dhiare shumë të thella, plotë kthina, madhështore e kureshtëndjellëse.

Në udhëtim e sipër, kureshtari i beftë mund të humb pa dashje në peisazhet arkitekturore shumëformëshe të Vërtejshtës, ku është shkrirë e gjelbërta e bimësisë barishtore, drunore e shkurrore. Mund të harliset e të futet në dukuritë e pazakonta natyrore mijëravjeçare të formimit të tyre, në epoka gjeologjike të formimit e një ekositemi paksa të ndërlikuar, që të bën të parashtrosh një mori pyetjesh të pazakonta: Si, e, kur janë formuar gjithë këto krijesa madhështore në unitet veprimi e jete, lindje e shuarje të pjesshme?

Sido që të jetë pyetja, një përgjigje është në vend e me vend: “Sllatinasët kanë sens për të shijuar të bukurën e madhështoren… Ata dinë t’u japin jetë rrënjëve të të parëve të tyre, e , kjo dëshmohet ashiqare me ndërtimin e mbi njëzetë “Vikendicave” në Vërtejshtën e gjyshërve e katragjyshërve të tyre të fisëm.