Në KSHZ u dorëzuan 69 propozime për kandidatë të pavarur për kryetar komunash për zgjedhjet lokale në RMV
Pas afatit për dorëzimin e propozimeve për lista kandidatësh, gjithsej 69 iniciativa për propozimin e listave për kryetarë komunash dhe kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 68 iniciativa për propozimin e listave të këshilltarëve për këshillat e komunave dhe këshillin e Qytetit të Shkupit u dorëzuan në departamentet dhe zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.
“Listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe lista e kandidatëve për kryetar komune, së bashku me nënshkrimet e regjistruara si propozim dhe të gjithë dokumentacionin tjetër në përputhje me kërkesat ligjore dhe sipas Udhëzimeve të KSHZ-së për mënyrën dhe procedurën e dorëzimit, pranimit dhe konfirmimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale 2025, dorëzohen në KKZ deri më 13 shtator 2025, në mesnatë, e cila do të vendosë për konfirmimin e tyre”, thonë nga KSHZ.
Nënshkrimet për kandidatë të pavarur për kryetar komune janë mbledhur për komunat Probishtip, Makedonska Kamenicë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Ohër, Debarcë, Prilep, Dollnen, Strugë, Dibër, Strumicë, Radovish, Bërvenicë, Shën Nikollë, Gjevgjeli, Demir Kapi, Kërçovë, Makedonski Brod, Koçan, Çeshinovë Obleshevë, Manastir, Mogilla, Novaci, Resnjë, Gostivar, Demir Hisar, Vinicë, Saraj, Qendër, Aerodrom, Karposh, Shuto Orizare, Haraçinë, Kisella Voda, Zelenikovë, Studeniçan, Çuçer Sandevë dhe kryetari i qytetit të Shkupit.
Nënshkrimet për lista të pavarura për anëtarët e këshillave komunale dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit janë mbledhur për komunat Probishtip, Makedonska Kamenicë, Kumanovë, Negoriçan i Vjetër, Ohër, Debarcë, Prilep, Dollnen, Strugë, Dibër, Bosilovë, Novo Sellë, Strumicë, Tetovë, Shtip, Llozvo, Kërçovë, Makedonski Brod, Koçan, Çeshinovë Obleshevë, Kavadar, Manastir, Mogillë, Resnjë, Demir Hisar, Karposh, Saraj, Qendër, Çucer Sandevë, Kisella Vodë, Zelenikovë, Studeniçan dhe për Këshillin e Qytetit të Shkupit.
Listat e kandidatëve të paraqitura nga një grup votuesish, përveç Formularit për Mbledhjen e Nënshkrimeve për listën për kryetar komune ose Qytetit të Shkupit dhe/ose listën e kandidatëve për anëtarë të këshillit të komunës ose këshillit të Qytetit të Shkupit, duhet të përfshijnë edhe të gjitha dokumentet e kërkuara në përputhje me Udhëzimet për mënyrën dhe procedurën e dorëzimit, pranimit dhe konfirmimit të listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të vitit 2025, të cilat janë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
Afati për mbledhjen e nënshkrimeve përfundoi mbrëmë, më 1 shtator 2025, në orën 24:00.
Kujtojmë se ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se është e mundur që zgjedhjet lokale të jenë të pasuksesshme për shkak të mundësisë që listat e qytetarëve të dorëzohen vetëm me dy nënshkrime, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) miratoi një Rregullore që rregullon procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të listave të kandidatëve të dorëzuara nga një grup votuesish. Megjithatë, nëse kjo ndodh, siç tha Mickoski, Qeveria do të emërojë administratorë qeveritarë në Komuna.
Më 17 gusht, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi Rregullore sipas së cilës iniciativat qytetare mund të marrin pjesë në zgjedhje me dy nënshkrime të mbledhura. Kjo Rregullore u miratua sepse nuk ka rregullim ligjor për listat nga një grup votuesish, pasi Parlamenti nuk arriti të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të përcaktonin numrin e nënshkrimeve të kërkuara.
Përndryshe, zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.