Verbëria numerike

Djalli fshihet në statistika. Sipas Borges-it, demokracia është abuzim me statistikat. Nëse e llogarisim rrogën mesatare të pasanikut dhe të varfrit, atëherë ajo do të ishte shumë e lartë, por praktikisht i pasuri do të bëjë jetë luksoze, kurse varfanjaku do të vuajë nga uria dhe sëkëlldia.

Statistikat, që edhe ferrin mund ta projektojnë si parajsë, më ngjallin neveri, sepse njerëzit shënohen vetëm si numra. Për mua njeriu është vlerë hyjnore. Në botë nuk ka dy njerëz të ngjashëm. Herman Hesse tha se njeriu është qenie unike, e papërsëritshme, prandaj është e vlefshme.

Politikanët duke i parë njerëzit si numra, pra si turmë, i mendojmë vetëm si objekte dhe jo si subjekte. Ata duan që njerëzit të mendojnë njësoj, të veprojnë njësoj, të ëndërrojnë njësoj, të ndiejnë njësoj, të flasin njësoj. Ata duan njerëz njëdimensionalë, të cilët e pranojnë robërimin e rehatshëm, siç tha Markuse. Por, botën drejt përparimit e shpie mendimi kritik.

Partitë politike, veçmas në kohë garash zgjedhore, sëmuren nga verbëria numerike. Më shumë njerëz, më shumë vota. Më shumë vota, më shumë deputetë. Më shumë deputetë, më shumë pushtet.

Nëse gjatë veprimtarisë politike mahnitemi vetëm nga euforia, tifozeria partiake dhe statistikat, atëherë kemi zgjedhje pa zgjidhje.

Politika duhet t’i detektojë problemet reale në shoqëri dhe të japë formula realiste për zgjidhjen e tyre.Mendimtarët shqiptarë të viteve ’30 të shekullit të kaluar thanë se që të fillojë shërimi i shoqërisë duhet së pari të njihen sëmundjet e saj. Vetëm kjo nuk mjafton. Duhet të gjendet edhe formula për shërimin e sëmundjeve të shoqërisë.

Presidenti i dikurshëm amerikan, Dwight David Eisenhower (1890 – 1969), tha: “Nëse një parti politike nuk bazohet në vendosmërinë për të çuar përpara një kauzë, e cila është e drejtë dhe morale, atëherë ajo nuk është parti politike, por thjesht një komplot për të marrë pushtetin”. Ose është komplot për ta ruajtur pushtetin. Në këtë rast, sipas shkrimtarit Ambrose Bierce-i, politika është vetëm grindje për interesa nën maskën e një gare parimesh ose kryerje e punëve publike për përfitime private.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.