‘Vdekje për shqiptarët’: Gjuha e urrejtjes godet Tearcën, mbishkrim nacionalist në stadium (Video)

Mbishkrimi nacionalist dhe me gjuhë të urrejtjes ‘Vdekje për shqiptarët’ është paraqitur në stadiumin e Tearcës, vendbanim ku me vite bashkëjetojnë komuniteti shqiptar, maqedonas dhe turk, shkruan Portalb.mk.

Ky mbishkrim sot gjatë ditës bëri bujë në opinion dhe media, duke nxjerrë në pah se gjuha e urrejtjes prekë edhe këtë rajon.

Nga Policia për Portalb.mk konfirmuan se rasti është paraqitur te ata dhe se merren masa për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve.

Nga Komuna e Tearcës, njoftuan se menjëherë pas shfaqjes së këtij mbishkrimi stadiumi është pajisur me kamera sigurie.

“Pas shfaqjes së afisheve fyese dhe nxitëse të urrejtjes, që synojnë prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, stadiumi i Tearcës është pajisur me kamera sigurie, me qëllim parandalimin e akteve jo të hijshme dhe garantimin e sigurisë publike”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Pak orë më vonë, mbishkrimi u fshi nga të rinjtë e Komunës së Tearcës.

Ky mbishkrim është paraqitur vazhdimisht nëpër vende të ndryshme publike.

Ndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi ka monitorurar dhe raportuar gjuhën e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, e cil mbetet e përhapur veçanërisht në sport.

Redaksia jonë përmes një sërë shkrimesh ka argumentuar se mosreagimi adekuat i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes.