Deri në fund të vitit pritet të mbërrijnë 40 kamionë të rinj për “Higjienën Komunale” – Shkup
Përmes Ministrisë së Transportit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore do të sigurohen 40 automjete të reja për nevojat e NP “Higjiena Komunale” – Shkup, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se me këtë furnizim do të zgjidhet një nga problemet më të mëdha shumëvjeçare në funksionimin e ndërmarrjes – mekanizimi i vjetëruar, i pa mirëmbajtur dhe i konsumuar, i cili e ka vështirësuar seriozisht mirëmbajtjen e higjienës publike në kryeqytet. Sipas Mickoskit, gjendja është komplikuar edhe më tej nga mbingarkesa me punonjës, si dhe nga efikasiteti i pamjaftueshëm i një pjese të të punësuarve.
“Me këta 40 kamionë, jam i sigurt se gjendja e higjienës në Shkup do të përmirësohet ndjeshëm. Ashtu siç e paralajmëruam në fushatë dhe siç e paralajmëroi edhe vetë kryetari i qytetit, higjiena është prioriteti ynë kryesor dhe ky proces shkon pikërisht në atë drejtim”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se procesi i prokurimit pritet të përmbyllet deri në fund të pranverës, ndërsa dorëzimi i automjeteve të nisë deri në fund të vitit. Sipas kryeministrit, mekanizimi i ri do të mundësojë punë më efikase të Higjienës Komunale dhe përmirësim të dukshëm të pastërtisë në qytet.
Kujtojmë se, Shkupi përpara se të zgjidhet Orce Gjorgjievski kryetar i Qytetit të Shkupit, ishte lënë të mbytej në mbeturina për javë të tëra, derisa pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për opozitën, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.