Sporti dhe narrativat e dëmshme: si thirrjet nacionaliste krijojnë tensione, përderisa ekipi kombëtar i futbollit tregon realitet tjetër
Maqedonia e Veriut, si një shtet me përbërje të theksuar multietnike, përballet vazhdimisht me sfida që burojnë nga tensionet ndërmjet komuniteteve të saj kryesore. Prej dekadash, marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve përpos që kanë qenë të përkeqësuara nga konfliktet në vend, ato janë përkeqësuar edhe nga paragjykime dhe narrativa të caktuar të dëmshëm, të cilët në disa raste janë dhe nxitës të këtyre konflikteve. Rezultatet e monitorimit të Fondacionit Metamorfozis tregojnë se këto narrativa rrezikojnë ta paraqesin Maqedoninë e Veriut si një shoqëri të brishtë, të ndarë dhe të paaftë për të ndërtuar një shtet shoqëror të qëndrueshëm. Tokë pjellore për përforcimin e narrativave të dëmshme janë ndeshjet në stadiumet sportive ku thirrjet raciste dhe nacionaliste përhapen në mënyrë spontane, por edhe të organizuar. Nga kakofonia e urrejtjes e cila më pas shpërndahet edhe në sferën digjitale, nuk mund të shihet fryma e bashkëpunimit mes lojtarëve, posaçërisht në klubet sportive me përbërje të përzier, të cilët edhe pse vijnë nga etni dhe fe të ndryshme, në arrenën sportive janë një dhe luajnë të bashkuar. Ndër shembujt më pozitiv është përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll. Përbërja e saj në, aspektin etnik, është e përzier. Shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera, ndajnë bashkë dëshpërimet nga humbjet dhe gëzimet e fitoreve, shkruan Portalb.mk.
Narrativat e dëmshme apo malinje zakonisht synojnë përçarjet, duke i theksuar dallimet si rrezik. Manipulojnë historinë për të justifikuar armiqësinë dhe viktimizimin, si dhe përdorin gjuhë emocionale që nxit frikë, pasiguri dhe urrejtje.
Terrenet sportive shpesh janë hapësira ku ndodhin brohoritje urrejtëse dhe me bazë etnike, kurse grupet përkatëse të tifozëve bëhen veçanërisht aktive kur postojnë rreth ngjarjeve të tilla. Një shembull është akti i vandalizmit në Draçevë të Shkupit, ku një ikonë e Jezu Krishtit u shkatërrua në një park lokal dhe një Kuran u la pranë saj. Incidenti u raportua me sensacionalizëm në media, duke nxitur më tej tensionet ndërfetare dhe ndëretnike. Grupi i tifozëve “Komiti” u përgjigj me një deklaratë: “Nuk do t’ua falim”.
Është interesante se mediat e amplifikuan deklaratën e grupit të tifozëve “Komiti” duke e vendosur atë në mënyrë të dukshme në mbulimin e tyre mediatik. Megjithatë, shumë komente nga qytetarët sipas këtyre raporteve kishin një ton të ndryshëm, duke theksuar se asnjë besimtar i vërtetë nuk do ta kryente një akt të tillë dhe, ndryshe nga mostrat tipike, këto komente nuk përmbanin urrejtje.
Ky rast pasqyron një model më të gjerë në vend, ku islami pothuajse gjithmonë shihet përmes thjerrës së përkatësisë etnike. Një interpretim i tillë shpesh amplifikohet nga mediat dhe grupet e tifozëve sportivë, duke i shndërruar incidentet fetare në mjete për të nxitur tensionet ndëretnike dhe për t’i shërbyer qëllimeve politike.
Organizatat joqeveritare vazhdimisht alarmojnë për rrezikun e normalizimit të gjuhës së urrejtjes.
“Tribunat sportive vazhdojnë të mbeten hapësira ku përhapen mesazhe fyese dhe diskriminuese, veçanërisht mbi baza etnike dhe kombëtare. Një gjuhë e tillë, sidomos kur shprehet publikisht, ka potencial të shkaktojë ndarje të thella, të dëmtojë kohezionin ndërmjet etnive dhe madje mund të çojë në krime të motivuara nga urrejtja”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Sipas tyre, përkatësia etnike ndër vite vazhdon të dominojë si baza më e shpeshtë për gjuhën dhe veprat e urrejtjes, ndërsa kryerësit dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë.
“Pikërisht për këtë arsye, mendojmë se dënimi publik është minimumi që mund të bëjnë strukturat politike, ndërsa institucionet kompetente duhet t’i identifikojnë dhe t’i ndëshkojnë kryerësit”, thonë tutje në qëndrimin e tyre për Portalb.mk.
Nuk është aq zi
Mirëpo, ka shumë shembuj tjerë pozitiv në Maqedoninë e Veriut që kundërargumentojnë narrativat që shprehen përmes tifogrupeve dhe pastaj marrin jehonë dhe tentojnë të paraqesin një pasqyrë ndryshe për shoqërinë, etnitë e ndryshme që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por edhe shtetin në përgjithësi.

Ndër shembujt më pozitiv është përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll. Përbërja e saj në, aspektin etnik, është e përzier. Shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera, ndajnë bashkë dëshpërimet nga humbjet dhe gëzimet e fitoreve.
Për momentin, ekipi po e synon suksesin e radhës historik, pas pjesëmarrjes në Kampionatin Europian në futboll EURO 2028.

Gazetari sportiv me përvojë, Reshat Ibrahimi, është ndër gazetarët më aktiv prezent, në ndëshjet e reprezentacionit, brenda dhe jashtë vendit. Ai për Portalb.mk, ka komentuar atmosferën brenda ekipit dhe stafit në federatë.
“Atmosfera në përfaqësuesen e Maqedonisë është shumë e mirë. Dhe, për një ambient të tillë sigurishtë që kanë ndikuar rezultatet pozitive të ekipit përfaqësues në dekadën e fundit, ku Maqedonia mori pjesë në kampionat europian dhe tani është para një suksesi tjetër historik për të marrë pjesë në finalet e Kampionatit Botëror në vitin 2026 në ShBA, Meksikë dhe Kanada. Një tjetër faktor për një klimë të tillë në reprezentacion të Maqedonisë është edhe trajneri Bllagoja Milevski, i cili ka arritur të krijojë një ekip me futbollistë cilësorë dhe që i njeh mirë, të cilët i ka trajnuar edhe gjatë kohës që ishte në ekipin U21 të Maqedonisë, me të cilët luajti në Europian për 21 vjeçarë”, tha Ibrahimi.
Lojtarët, shton tutje Ibrahimi, respektohen mes vete dhe kanë një miqësi të shëndosh mes vete.
“Të gjithë janë profesionistë, pasi vijnë nga kampionate të ndryshme europiane. Enis Bardhi, i cili është shqiptar, është kapiten dhe ai gëzon një respekt të madh nga të gjithë bashkëlojtarët e tij. Bardhi është prijës i sukseseve të Maqedonisë, por jo vetëm ai edhe të tjerët që kanë merita për sukseset e deritanishme. Është personalitet dhe nuk e shikojnë nëse është shqiptarë ose jo. Meritorë për atmosferën e mirë është edhe kryetari aktual i federatës, Masar Omeragiç, i cili nga ardhja në krye të federatës po i lufton këto dukuri të pahijshme. Madje, ai ka paralajmëruar se në të ardhmen ndeshjet në tribunë do të ndiqen edhe nga tifozë rivalë. Maqedonia e Veriut është vend i të gjthëve që jetojnë në këtë shtet dhe të gjithë duhet të shikojmë përpara drejt Europës dhe vlerave europiane”, përfundoi Ibrahimi.
Përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut në 26 mars, në orën 20:45, e pret ndeshja si mysafire kundër Danimarkës në gjysmëfinalen e “play off”- it për kualifikim në Kampionatin Botëror. Ndeshja me danezët, do të zhvillohet në stadiumin “Parken” në Kopenhagë. Fituesi i kësaj ndeshje do të ndeshet me më të mirin nga ndeshja tjetër Irlanda e Veriut – Çekia, për një vend në Kampionatin Botëror 2026.

Por, çka bëjnë institucionet për ta mbrojtur harmoninë që reflekton ekipi A i RMV-së në futboll?
Suksesi nuk njeh përkatësi etnike, por punë dhe përkushtim
Federata e Futbollit të Maqedonisë në përgjigjet e tyre për Portalb.mk, theksuan se federata punon afatgjatë për të krijuar një ambient të shëndetshëm sportiv dhe i dënon brohoritjet nacionaliste, gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë diskriminimi.
“Kohët e fundit, së bashku me UNICEF-in, punojmë në kampanja edukative, bashkëpunim me klubet dhe shkollat, si dhe dërgojmë mesazhe parandaluese para çdo aktiviteti tonë. Paralelisht, punojmë në përmirësimin e rregulloreve dhe sanksioneve, të cilat mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efikas kur prishet fryma sportive e ndeshjeve. Qëllimi ynë është që tribuna të jenë vend mbështetjeje, e jo “platformë” për përhapjen e frikës apo ndarjeve”, thonë nga federata.
Për ta përmirësuar atmosferën, federate premton se do të vazhdojë punën në edukimin e kategorive të reja për respekt, diversitet dhe fair-play; siç theksojnë nga aty, do të rrisin kontrollin në organizimin e ndeshjeve me protokolle të qarta për parandalimin e incidenteve dhe koordinim me komisarët e sigurisë së klubeve; si dhe do të zhvillojnë fushata të vazhdueshme me futbollistët, sidomos me ata të përfaqësueses A, të cilët më së miri përcjellin mesazhin e unitetit. Ata tregojnë se suksesi nuk njeh përkatësi etnike, por punë dhe përkushtim.

“Mesazhi ynë është i qartë: një sjellje e tillë nuk është pjesë e sportit dhe nuk është pjesë e vlerave që duam të promovojmë. Përkundrazi, do të ndëshkojmë çdo rast. Çdo lloj brohoritjeje që poshtëron, fyen ose nxit urrejtje e dëmton sportin dhe i dënon pikërisht ata që vijnë për futboll – lojtarët dhe tifozët e vërtetë. Ne vazhdimisht u bëjmë apel grupeve të tifozëve të mbështesin ekipin e tyre me pasion, por edhe me respekt. Futbolli duhet të bashkojë, e jo të ndajë”, thonë nga federata.
I pari i federatës së futbollit, Masar Omeragiç, ka pohuar se përgjigjja më e fortë ndaj sjelljeve devijante është profesionalizmi, qetësia dhe fokusimi në lojë.
“Duhet të jemi shembull për gjeneratat e reja. Mesazhi im personal është se respekti ndaj kundërshtarit, ndaj tifozëve dhe ndaj ekipit të vet është themeli i futbollit dhe i sportit në përgjithësi. Çdo institucion, federatë dhe klub ka rolin e vet. Institucionet sigurojnë kornizën dhe mekanizmat për ndëshkimin e gjuhës së urrejtjes dhe çdo forme diskriminimi. Federatat duhet të udhëheqin fushata edukative dhe parandaluese dhe të kenë norma të qarta për veprim në rast të shkeljes së të drejtave. Klubet kanë detyrim të punojnë me tifozët, të parandalojnë situatat me rrezik dhe të nxisin tifozimin pozitiv. Sportistët janë ata që dërgojnë mesazhin më të forte, sjellja e tyre duhet të jetë me respekt dhe me fair-play. Kur të gjithë veprojmë së bashku, futbolli i rikthehet vlerës së tij të vërtetë – edhe në fushë, edhe në tribuna”, tha për Portalb.mk kryetari FFM-së Omeragiç.
Sporti duhet të bashkojë, e jo të krijojë përçarje
Nga ministria e Sportit porosisin se sporti duhet të bashkojë, të lidhë njerëzit, e jo të krijojë përçarje. Po aty, janë të vetëdijshëm se në disa terrene sportive shfaqen brohoritje nacionaliste dhe provokuese që krijojnë tension.
“Ministria e Sportit është në komunikim të vazhdueshëm me federatat, klubet dhe institucionet e sigurisë për të parandaluar këto dukuri. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për t’i çrrënjosur këto fenomene negative, përmes edukimit, përmes vendosjes së mekanizmave më të rreptë disiplinorë dhe përmes fushatave që promovojnë “fair-play”-in. Qëllimi ynë si Ministri e Sportit është që përmes sportit të promovohen vlerat e vërteta respekti, dinjiteti dhe bashkëjetesa, dhe gjithmonë do të jemi vendosmërisht kundër çdo përpjekjeje për të përdorur sportin për qëllime nacionaliste ose politike,” tha për Portalb.mk ministri i Sportit, Borko Ristovski.

I pari i ministrisë së Sportit zotohet se janë planifikuar aktivitete konkrete dhe të koordinuara. Ministri Ristovski, në deklaratën për Portalb.mk, tha se do të propozojë ndryshime në rregulloret e federatave për reagim dhe sanksionim të shpejtë, do të forcojë parandalimin përmes programeve për të rinjtë tifozë dhe, së bashku me Ministrinë e Brendshme, do të vendosin mekanizma për identifikimin dhe veprimin ndaj grupeve të organizuara që përhapin urrejtje dhe shkaktojnë incidente në terrenet sportive.
“Me çdo veprim tonin përpiqemi që sporti të jetë i qasshëm për të gjithë, në çdo qytet dhe komunë të vendit, që të rinjtë të merren me sport dhe përmes sportit të promovohen vlera pozitive dhe të ndërtohet një frymë pozitive sportive. Kjo është detyrë, por edhe përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne”, tha Ristovski,
Mesazhi ynë, shton tutje ministri, është i qartë: gjuha e urrejtjes, nacionalizmi, racizmi dhe çdo formë e sjelljes së pahijshme në tribunë nuk janë sport dhe nuk do të tolerohen. Çdo person që me vetëdije e prish atmosferën sportive do të përballet me masa ndëshkuese, tha ai.
“Si sportist kam luajtur në salla anembanë Evropës dhe shpesh kam dëgjuar gjithfarë provokimesh. Por kurrë nuk kam lejuar që ato të më largojnë nga qëllimi im. Përgjigjja më e fortë është loja në fushë. Gjithashtu besoj se institucionet duhet të reagojnë shpejt, ndërsa federatat dhe klubet duhet ta marrin rolin e tyre. Sportistët, nga ana tjetër, duhet të jenë shembull – me fair-play, respekt dhe pjekuri. Besoj se sportistët janë ambasadorët më të mirë të vlerave pozitive. Respekti është trofeu më i madh që mund ta fitojmë. Mesazhi im personal është i thjeshtë: Bëni tifo ashtu siç do të dëshironit të bënit tifo për fëmijën tuaj,” përfundoi ministri Ristovski.
Redaksia jonë përmes një sërë shkrimesh ka argumentuar se mosreagimi adekuat i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Reagimi në kohë do mbronte vlerat me të cilat përfaqësohet më së miri shteti ynë, e që është ambienti sportiv dhe sukseset sportive.
- LEXO: RMV, urrejtja që nuk nuk shihet e ndëshkohet: nga qindra raste, policia ka vepruar vetëm për 4 në gjysmën e parë të vitit (Infografik)
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
- LEXO: Tifozët e Kumanovës me thirrje raciste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm